Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se populli i Kosovës do të jetë përjetësisht mirënjohës ndaj udhëheqësve të botës demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që më 24 mars 1999 filluan sulmet mbi Serbinë, për t’i dhënë fund terrorit të saj gjenocidal në Kosovë.
Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se Republika e Kosovës është krenare me aleancën që ka me NATO-n, të cilën e ka filluar UÇK-ja e sot po e vazhdon Ushtria e Kosovës.
“20 vjet më parë NATO filloi sulmet mbi Serbinë, për t’i dhënë fund terrorit të saj gjenocidal në Kosovë. Populli i Kosovës do të jetë përjetësisht mirënjohës ndaj udhëheqësve të botës demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata ishin me ne, në orën më të ligë të historisë sonë. Ne jemi krenarë që aleancën me NATO-n, të filluar nga UÇK-ja, sot po e vazhdon Ushtria e Kosovës. Gjithmonë në shërbim të lirisë dhe paqes”, ka shkruar Veseli. /Telegrafi/