Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shkruar se me marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe rekomandimin e liberalizimit të vizave, Kosova sot gjendet më afër se kurrë me Bashkimin Evropian.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Veseli ka shkruar se për Kosovën, “Dita e Evropës” nuk duhet të jetë vetëm ditë feste, por edhe ditë reflektimi mbi përgjegjësinë që secili ka në procesin e integrimit evropian, duke përmbushur kriteret për anëtarësim në BE.
“Sot është dita e Evropës që përkujton deklaratën historike të Robert Schuman 66 vite më parë ku shpalosi së pari idenë largpamëse të krijimit të institucioneve ndër-shtetërore mes vendeve që vetëm pak vite më herët kishin bërë kundër njëri-tjetrit luftën më të madhe që ka njohur njerëzimi. Ajo deklaratë shërbeu si vendosja e gurit të themelit drejt ndërtimit të Bashkimit Evropian prandaj konsiderohet si dita simbolike e paqes, unitetit dhe solidaritetit evropian”, ka shkruar Veseli në Facebook.