Site icon Telegrafi

Veseli komenton zhvillimet e sotme në Kuvend: Të mos jemi shpirtngushtë, të mos mbizotërojë zhurma mbi argumentin

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke i komentuar zhvillimet sotme në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se dita e sotme ka dëshmuar se në Kosovë i vetmi fitues i debatit të lodhshëm është parlamentarizmi.

“Dita e sotme dëshmon se parlamentarizmi në Kosovë është i vetmi fitues i një debati të lodhshëm, me dhe pa argumente të atij apo këtij lloji! Përkufizimi i kufijve të shtetit të Kosovës, është një nevojë dhe realizim historik i një procesi të shtetbërjes, të konfirmuar me rezistencën e popullit të Kosovës, proceset negociatore (Rambulliet, Vjenë, Bruksel), dhe obligimeve ndaj neve dhe tjerëve, fqinjëve, partnerëve ndërkombëtar dhe vetë Kosovës si faktor që hyn në familjen e kombeve dhe shteteve duke marrë obligime dhe privilegje nga ky proces historik”, ka thënë Veseli në një deklaratë dërguar mediave.
Ai thekson se legjitime është që në një betejë parlamentare të mbahen interesat partiake, por ajo që vlen sipas tij në një gjyq historik janë interesat nacionale.

“Dua që të mos jemi shpirtngushtë, të mos mbizotërojë zhurma mbi argumentin. Lotsjellësi mbi debatin, granata mbi bisedën. Dua të gjithë të kujtohemi që shteti që po e ndërtojmë është mbi të gjitha kapriciet, shpirtëngushtësitë, interesat, kalkulimet dhe agjendat personale, grupore e të interesit”, ka thënë Veseli. “Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara”.

Exit mobile version