Site icon Telegrafi

Veseli: Klina vazhdon me PDK-në dhe Sokol Bashotën

Kreu i PDK-së ka thënë se Klina është shembull i Forcës së Ndryshimit, i qeverisjes së mirë dhe i lidershipit të vendosur të PDK-së. Në një tubim elektoral në Klinë, Veseli ka thënë se Sokol Bashota është kryetari me të cilin mburren qytetarët e Klinës.

“Nën udhëheqjen e Sokol Bashotës, Klina është kthyer në njërën nga komunat më të sigurta dhe më të qeta të Kosovës. Ajo është bërë komunë e punës dhe mirëkuptimit qytetar. Është bërë shembulli më i mirë i bashkëjetesës etnike dhe fetare jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se me lidershipin e Sokol Bashotës, Komuna e Klinës është bërë adresë e sigurt për qytetarët, për fermerët dhe sipërmarrësit, për arsimtarët dhe pensionistët, për familjet e dëshmorëve dhe të gjitha komunitetet etnike e fetare në Klinë.

“Klina është modernizuar, në qytet dhe fshatra. Janë me qindra projekte të realizuara në infrastrukturë, në shkolla, qendra të mjekësisë familjare që mbajnë vulën e punës së Sokol Bashotës”, ka shtuar Veseli.

Lideri i PDK-së ka thënë se do të vazhdojë zhvillimi i Klinës, do të vazhdojnë investimet dhe do të përkrahen prodhuesit që të hapin vende të reja të punës për të rinjtë e Klinës.

Ndërsa, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për Kryetar të Klinës, Sokol Bashota, ka thënë se më 22 tetor, qytetarët do t’i thonë po vazhdimit të zbatimit të suksesshëm të të gjitha projekteve kapitale me interes dhe në shërbim të qytetarëve.

Bashota ka thënë se tubimi i sotëm përçon mesazhin se klinasit janë të palëkundur në mbështetjen e fuqishme për PDK-në.

Kandidati i PDK-së për Kryetar të Klinës ka thënë se dita e fitores së madhe po afrohet dhe klinasit kanë vendosur për vazhdimin e qeverisjes së PDK-së edhe për katër vjetët e ardhshëm.

Exit mobile version