Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar që në këto ditë përkujtimi të Familjes Jashari dhe heroizmit të tyre, të kemi edhe një zgjim të vetëdijes shtetërore. Postimin e tij në Facebook, mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“Shënimi i Marsit të Madh, sot, do të thotë një frymëzim për të çuar përpara Agjendën Evropiane të Republikës, për të cilën u flijuan të gjitha moshat e kombit tonë.
Kjo do të thotë se nderimi i heronjve dhe i dëshmorëve të vendit e të kombit, është bërë dhe do të bëhet gjithmonë duke e jetësuar të tashmen e lirë dhe të ardhmen e ndritshme për qytetarët e Republikës pa dallime.
Liria e popullit të Kosovës, është pjesë ekzistenciale e çdo komuniteti që jeton në Kosovë. Ajo është e garantuar me Kushtetutën e Republikës dhe me ligjet e saj.
Dhe një Liri bëhet e vyeshme në praktikë, kur ajo bëhet pashmangshëm pjesë e të gjithë shtetasve të Republikës pa dallim.
Nderimi i Komandantit legjendar Adem Jashari, nderimi i Jasharajve dhe nderimi i të gjithë dëshmorëve të vendit e të kombit tonë, behët çdo ditë të jetës sonë, me punë e përkushtim ndaj të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë e jo vetëm në ditët e shënuara. Të gjithë së bashku, duke i ruajtur dhe kultivuar dallimet dhe ndryshimet tona, mund ta bëjmë të sotmen dhe të nesërmen më të mirë.
Vetëm duke e respektuar ligjshmërinë dhe legjitimitetin e Republikës dhe të demokracisë, mund të rrjedhin proceset për të gjithë.
Dita e sotme e shënimit të Marsit të Madh, le të jetë një zgjim institucional, një bashkërendim i përgjegjësive ligjore e kushtetuese, sepse kështu, mund ta nderojmë gjithmonë njeri-tjetrin edhe kur nuk pajtohemi me njeri-tjetrin, por gjithmonë merremi vesh.
Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes së madhe Jashari!
Lavdi dëshmorëve!” (sic.), ka shkruar Veseli.
Shënimi i Marsit të Madh, sot, do të thotë një frymëzim për të çuar përpara Agjendën Evropiane të Republikës, për të cil…
Posted by Kadri Veseli on Sunday, March 6, 2016