Telegrafi

Veseli kërkon që eshtrat e Hasan Prishtinës të sillen në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovë, Kadri Veseli në 85 vjetorin e vdekjes së Hasan Prishtinës ka thënë se ka marrë iniciativë që eshtrat t’i sillen në Kosovë dhe në një ceremoni shtetërore të varrosen në Prishtinë.

Veseli në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se për këtë u ka shkruar letër autoriteteve shtetërore në Tiranë.

Lexoni të plotë postimin e Veselit në Facebook:

“Në 85 vjetorin e vdekjes kujtojmë Hasan Prishtinën, heroin e madh të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesin e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Në këtë vit të nderimit kombëtar për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, dhe në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të krijimit të Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’, kam marrë iniciativën që eshtrat e Hasan Prishtinës të sillen në Kosovë dhe në një ceremoni shtetërore të varrosën në Prishtinë, në vendin ku prehen Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare në Kosovë.

Për këtë qëllim u kam dërguar një letër autoriteteve shtetërore në Tiranë, që të na mbështesin në këtë inciativë domethënëse për memorien dhe identitetin shtetëror të Kosovës. Kosova nuk i harron bijtë e vetë, heronjtë e saj. Ata, si gjithmonë, kthehen të fundit nga betejat!”. /Telegrafi/