Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Washington, ka takuar kongresmenin Davis Price, kryetar i Komisionit House Democracy Partnership (HDP), që përkrah zhvillimin e legjislaturave të pavarura.
Veseli e ka informuar kongresmenin Price me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, agjendën, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kuvendi.
Ai me këtë rast ka theksuar se me përgjegjësi promovon transparencën dhe lehtësimin e qasjes së qytetarit në legjislativ, si parime bazë të legjislaturës aktuale.
Veseli dhe Pricen trajtuan nevojën e shkëmbimit të përvojave legjislative dhe vazhdimin e bashkëpunimit në mes të Kongresit Amerikan dhe Kuvendit të Kosovës.
“Kosovës i duhet ndihma për ngritjen e kapaciteteve të Kuvendit, të komisioneve dhe administratës, në veçanti mbikëqyrjes legjislative dhe buxhetit”, theksoi me këtë rast kreu i Kuvendit.
Kongresmeni Price vuri në pah se Komisioni në krye të së cilit është ai bën promovimin e zhvillimit të demokracisë në mbarë botën si objektiv kryesor i politikës së jashtme amerikane, duke theksuar se është e drejtë e të gjithë njerëzve që të kenë rol në punët e vendit të tyre.
Bashkëbiseduesit shprehen përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral duke e begatuar me përmbajtje të reja në fushat e interesit të përbashkët.