Ka ardhur koha që edhe në Llap të fillojë Fillimi i Ri. Kështu u ka thënë llapjanëve, lideri i PDK-së Kadri Veseli gjatë një takimi të hënën me simpatizantë të kësaj partie në Podujevë, i cili kërkoi mbështetje që me 11 qershor të shënojnë fitore në Llap dhe gjithë Kosovën.
Kryetari Veseli ua përkujtoi llapjanëve heroin Zahir Pajaziti dhe veprimtarin Adem Demaçi, për të cilin tha se duhet të ndjehen krenarë që kanë.
Ai theksoi se pas datës 11 qershor duan që Kosovës t’i hapet perspektiva e re e zhvillimit ekonomik, në mënyrë që familjet kosovare të mos bredhin vendeve tjera, por të jetojnë në Kosovë.
“Ka ardhur koha për Fillimin e Ri, ka ardhur koha në Llap për fitoren e Fillimit të Ri të PDK-së më 11 qershor. Gjithsesi Kosova ka nevojë për fitoren e një koncepti, i cili e fuqizon pavarësinë e shtetit tonë, e ruan sovranitetin dhe në të njëjtën kohë e ecë përpara Kosovën tonë në aspektin e zhvillimit ekonomik. Sot gjithë Kosova, familjet tona, ëndrrat e familjeve tona janë të jetojnë në vendin e tyre të lirë shtetin e Kosovës. Por në të njëjtën kohë ata kanë dëshirë që të krijohet edhe perspektivë për fëmijët e tyre që të jetojnë me familjet e tyre këtu në Kosovë, e jo të bredhin rrugëve të huaja. Ky është koncepti i Fillimit të Ri”, tha Veseli.
Lideri i partisë me të madhe në vend shtoi se Kosovës i duhet një lidership që nuk ndihet inferior, e po ashtu që nuk i gjuan miqtë me gurë.
“Më 11 qershor sfida do të jetë kjo, cili lidership do ta udhëheqë Kosovën, kush do të vihet përball sfidave që i ka Kosova. A do të shkoj dikush që është i rrudhur që nga fillimi, dikush që është inferior, nuk ka guximin t’i thotë edhe kur të flet me të huajt t’i thuhet ajo që duhet. Ne kemi çështje nde që duhet t’i përfundojmë, ne kemi përfunduar luftën, tani jemi për paqen. Jemi duke konsoliduar sovranitetin e shtetit tonë, por duhet një lidership i UÇK-së t’i thotë jo Serbisë as mos të ëndërroj të vijë në Kosovë. Në të njëjtën kohë, duhet edhe një lidership, i cili nuk merr gurë dhe nuk i gjuan miqtë. Në traditën tonë ne nuk i gjuajmë miqtë, Kosova ende ka nevojë për partnerë të fuqishëm, për jetë kemi nevojë për partnerë të fuqishëm, ne jemi të bekuar që kemi përkrah SHBA-të dhe partnerët tanë perëndimorë”, theksoi Veseli.
Veseli theksoi se do ta fuqizojnë rolin e bashkëluftëtarëve të tyre të UÇK-së, të cilët duhet ë jenë krenar për të djeshmen, porse tani duhet të përgatitën për të tashmen në mënyrë që ta zhvillojnë ekonomikisht vendin.
Kreu i PDK-së ka ripërsëritur ndihmën e ndërmarrësve, dyfishimin e buxhetit për bujqësinë, fuqizimin e grave dhe të rinjve, pasi janë prioritet i Fillimit të Ri.