Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadoren e Kroacisë në vendin tonë, Marija Kapitanoviq.
Sipas komunikatës nga Kuvendi i Kosovës, temë e veçantë e këtij takimi ishin hapat që po ndërmerr Kosova në rrugën e integrimit evropian, me theks të veçantë, procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Duke e vlerësuar të domosdoshëm këtë hap, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se BE-ja padrejtësisht po i mbanë të izoluar qytetarët e Kosovës.
Ambasadorja Kapitanoviq, nga ana e saj, tha se Kroacia mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe do të japë kontributin e saj në politikën e jashtme për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. /Telegrafi/