Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Ligji për Trepçën është i pakthyeshëm, pavarësisht pakënaqësive që i ka shprehur Lista Serbe.
Gjatë një interviste në “Euro Tribuna” përball Menduh Abazit, ai ka deklaruar se një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: “Kosova nuk bënë pazare me pasuritë e saj me asnjë shtet”!
Kreu i Kuvendit u ka përçuar mesazhe edhe autoriteteve në Beograd, se nëse pretendojnë që duke manipuluar me çështjen e Trepçës t’i tensionojnë raportet në regjion në mënyrë që të krijojnë koncesione si shpeshherë në të kaluarën, atëherë duhet ta dinë se e kanë gabim.
Veseli e ka thënë haptas se për bindjen e tij, Ligji për Trepçën nuk është dashur të vonohej deri më tani.
Sipas tij, shteti nuk do të jetë më tolerantë ndaj atyre që e shfrytëzojnë një pasuri që s’u takon. Bile, thotë se Agjencioni Kosovar i Privatizimit është dashur shumë herët që pronat të cilat i ka shitur t’ua japë pronarëve të rinj.
“Prona e huaj nuk do të jetë kurrë e askujt, por do të jetë vetëm e atij që i takon”, thotë ai.
Veseli ka thënë se shprehja “Askush mbi ligjin” nuk do të jetë vetëm formulë teorike, por tash e tutje do të jetë praktikë e zbatueshme.
Në këtë kontekst, ai ka përkujtuar se publikimi i listës me emra të uzurpatorëve prej vet atij, është bërë me qëllimin që të bart mesazhin se ky është vetëm fillimi.
Ai e ka cilësuar si të papranueshme që një investitor të lihet duke u sorollatur nëpër katër- pesë vende për ta kryer një punë dhe tërë kohën të përballët me “pashallarët e kolltukëve”, siç i ka quajtur ai disa zyrtarë burokratë të vendit tonë.
Një investitor potencial, sipas tij, vjen në Kosovë vetëm atëherë kur ka garanci se kapitalin e ka të sigurt.
Veseli ka rekomanduar që Kosova duhet të ecë me trendët e kohës, duke potencuar se tanimë në shtetet e tjera është e njohur praktika One Stop Shop. Një praktikë e tillë, sipas tij, duhet të futet në funksion sa më shpejt edhe te ne. /Tribuna Channel/