Njëri ndër basketbollistët më të mirë tek Sigal Prishtina, Alban Veseli ka humbur durimin me trajnerin Cehyun Cabadak.
Veseli për shkak të mosmarrëveshjeve me teknikun turk kishte sabotuar ndeshjen kundër Pejës, takim ky që u zhvillua në fundjavën që lamë pas.
Një burim brenda klubit kryeqytetas i ka thënë KosovaPressit se Veseli është i pakënaqur me minutazhen e vogël që po i jep trajneri Cabdaka.
“Është e vërtet se Veseli dhe trajneri Cabadak kanë mosmarrëveshje. Veseli kërkon më shumë minutazh në lojë nga trajneri”, ka thënë burimi brenda Sigal Prishtinës.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që basketbollisti Veseli ta bojkotojë edhe ndeshjen e radhës të Sigal Prishtinës.
Ndërkohë, burimi i klubit “bardh e kaltër” ka mohuar mundësinë që Alban Veselit të rikthehet në ish klubin e tij, Peja.
“Veseli është lojtar i Prishtinës. Ai ka kontratë me Prishtinën deri në qershor dhe nuk mendoj se ai do të largohet”, ka thënë burimi brenda Sigal Prishtinës.
Veseli llogaritët një nga basketbollistët më të mirë në vendin tonë. Ai sezonin e kaluar me Pejën fitoj titullin e kampionit, ndërsa gjatë verës ishte transferuar nga Peja në Sigal Prishtinë. /KP/Telegrafi/