Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli sot pasdite takoi përfaqësuesit e bizneseve në fabrikën e mobileve “Bini” në Vushtrri, ku ka thënë se bashkimi i koalicionit do të jetë mjaft i suksesshëm, kurse, liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt.
Sipas tij, pas 11 qershorit me fitoren madhështore të PDK do të implementohet platforma “Fillimi i Ri”.
Veseli ka thënë se shqetësimi i tyre është për krijimin e vendeve të reja të punës dhe integrimi në strukturat euro atlantike.
“Fillimi i Ri është i synuar kryesisht për ekonomi. Bizneset duhet të stimulohen dhe mbështeten ngase Binni dhe ndërmarrjet tjera për përpunimin e drurit janë të rëndësishme për vendin. Edhe fabrika për përpunimin e patateve këtu në Vushtrri janë mjaft të rëndësishme. Sektori i bujqësisë duhet të jetë intensiv jo ajo tradicionale”, tha Veseli, raporton Kosovapress
Ai shtoi se ka hequr dorë nga karriga kryeministrit, por jo edhe nga platforma ekonomike dhe e zhvillimit.
“Rritja ekonomike duhet të jetë minimum 8 përqind për të ardhur në krahasim me vendet e zhvilluara”, tha Veseli.
Lekë Musa, këshilltar ekonomik i kryetarit Veselit, tha se Qeveria e ardhshme do të përkrah bizneset në të bërit biznes gjatë rrugëtimit të tyre.
“Për qasje në kapital ne do të mundësojmë krijimin e fondit dhe mundësi financimi për ndërmarrje të vogla dhe të mesme sepse këto janë çelësi i krijimit të vendeve të reja të punës. Kapitali njerëzor është pasuria më e madhe që ka Kosova, ne kemi menduar për aftësimin e këtyre punëtorëve që i duhen mjaft sektorit të biznesit, ne duhet të punojmë për eliminimin e burokracisë në administrate. Përmenda edhe projektin për një gjykatë ekonomike për trajtimin e lëndëve të bizneseve”, theksoi Musa.
Ish-deputeti i PDK, Besim Beqaj tha se “Fillimi i Ri” ka për synim që të krijohet platforma për rritje ekonomike. Edhe Beqaj përmendi reformën e gjykatës ekonomike. Ai tha se do të ketë edhe reforma fiskale me ardhjen e qeverisë së re.
“Fokusi i Fillimit të Ri është përkrahja e prodhimtarisë vendore. Sektori i bujqësisë ka nevojë për infrastrukturës për ujitje dhe mbrojte nga fatkeqësia natyrore. Nxitja e zhvillimit do të jetë edhe në edukim të të rinjve”, ka thënë ai./Telegrafi/