Site icon Telegrafi

Veseli: Gjermania është model i zhvillimit ekonomik

Kryetari Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka takuar Klaus Schlie, kryetar i Kuvendit të shtetit federal Schleswig-Holstein të Gjermanisë dhe me këtë rast u shtrua çështja e thellimit të bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Kosovës dhe të këtij shteti të Gjermanisë federale.

Veseli në takim me Schlie, theksoi se bashkëpunimi i deritashëm me Gjermaninë ishte tejet i rëndësishëm për Kosovën, duke potencuar rëndësinë e përkrahjes së Gjermanisë, jo vetëm me rastin e rindërtimit të vendit, por edhe shtetndërtimit, mbështetjen e institucioneve, por edhe përkrahjen pa rezervë për Kosovën në skenën ndërkombëtare.

Veseli theksoi se Gjermania është mostër e zhvillimit ekonomik për neve si vend në tranzicion.

Klaus theksoi se është shumë i inkurajuar me punën që është bërë në Kosovë, jo vetëm në lëmin e sigurisë, por edhe në ngritjen e institucioneve demokratike, duke vënë në dukje domosdonë e zgjidhjes së çështjeve kontestuese me fqinjët nëpërmjet dialogut. Ai me këtë rast deklaroi se pos bashkëpunimit në rrafshin politik në mes të dyja vendeve, duke i vlerësuar si të shkëlqyeshme, tashmë duhet të zërë vend të rëndësishëm bashkëpunimi ekonomik. Klaus theksoi se Kosova i takon Evropës dhe Bashkimi Evropian duhet ta mbajë më afër Kosovën.

Kryetari Veseli vuri në pah se Kuvendi i Kosovës është i interesuar për bashkëpunim ndër parlamentar me parlamentin e kësaj njësie federale të Gjermanisë, mundësisë për investime në fushën e energjisë së ripërtërishme si dhe investimet në fushat tjera me interes të përbashkët, Kosovë-Schleswig-Holstein.

Kosova është vend me potenciale të mëdha në prodhimin e energjisë së ripërtërishme dhe përvoja nga ky shtet verior i Gjermanisë është shumë e mirëseardhur, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Exit mobile version