Site icon Telegrafi

Veseli: Formimi i Tribunalit nuk ka të bëjë me Gjykatën Speciale, Kosova ka shumë dëshmi për gjenocidin serb

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në vazhdimin e seancës plenare të 16 majit, për themelimin e Tribunalit për krimet serbe në Kosovë, ka thënë se iniciativa për themelimin e këtij Tribunali nuk ka të bëjë fare me Gjykatën Speciale

“Për të gjithë ata që mund të kenë dilema: Iniciativa për ngritjen e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë nuk lidhet fare dhe asgjë me Gjykatën Speciale. Para së gjithash, për arsye shtetërore. Çdo veprim paralel, neutralizues ose mohues i Gjykatës Speciale, në këto rrethana mund ta dëmtojë edhe më shumë shtetin tonë, kombin tonë, vetë UÇK-në”, u shpreh Veseli.

Veseli shtoi se Gjykata Speciale është themeluar nga ky Kuvend dhe se ky është fakt i pakthyeshëm më.

“Tribunali Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, duhet të ndodhë, për faktin se i hap Evropës, Rajonit dhe Kosovës e Serbisë një perspektiv të re dhe premtuese”, tha Veseli.

Veseli më tej shtoi se Kosova ka fakte të pamohueshme, madje edhe nga arkivat serbe, që dëshmojnë për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë.

“Kosova ka fakte, dëshmi dhe dëshmitarë të bollshëm. Duke u nisur nga e vërteta që e kemi parë dhe përjetuar vetë ne, familjet tona, kombi ynë. Kosova ka aq shumë dëshmitarë të gatshëm për të dëshmuar, përfshirë edhe ata që kanë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në këto krime. Po flas për kryesit e tyre të penduar! Po flas për ata që kanë parë masakrat, dinë për to, kanë qenë pjesë e tyre, që janë marrë me varrime, zhvarrime e bartje kufomash. E them me përgjegjësi të plotë: Kosova ka dëshmi! Kosova ka shumë dëshmi!”, ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se Kosova posedon shumicën dërrmuese të dëshmive që faktojnë gjenocidin serb dhe ka të dhëna të mjaftueshme për të dëshmuar planifikimin, organizimin dhe ekzekutimin shtetëror të gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe joserbët në Kosovë.

“Kosova ka fakte, dokumente nga arkivat serbe, se si janë tentuar të fshihen gjurmët e krimeve shtetërore serbe nga krerët politikë e ushtarakë. Kosova ka edhe lista të ekzekutimeve të shqiptarëve, të dokumentuara me dëshmi zyrtare serbe. Shumë nga këto dëshmi i ka pasur në dispozicion edhe UNMIK-u dhe Tribunali i Hagës, të dorëzuara nga Kosova para shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Veseli.

Në fund, ai ka thënë se deputetët tani duhet të vendosin vetë nëse do t’i thoni PO iniciativës për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë, apo t’i thoni PO heshtjes, shpërfilljes dhe mohimit! /Telegrafi/

Exit mobile version