Site icon Telegrafi

Veseli: Forca e Ndryshimit është e pandalshme edhe në Pejë (Foto)

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, në një tubim elektoral në Pejë, ka thënë se PDK-ja është forca e vetme që garanton stabilitetin dhe fuqizimin e shtetit.

Veseli ka thënë se jemi krenarë me faktin se në të gjitha komunat e Kosovës, kandidatët e PDK-së për kryetarë të komunave kanë bërë dallimin e madh me të tjerët.

“Këtij dallimi ia ka shtuar madhështinë edhe vendimi më i qëlluar që kemi marrë, që si në Mitrovicë, edhe këtu në Pejë, të kemi një grua për kryetare të komunës. Dhe më 22 tetor, me përkrahjen tuaj, me vullnetin e qytetarëve të Pejës, do ta kemi Sabiha Shalën kryetare të Pejës”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se Sabiha Shala përbën një rast të rrallë, që brenda një kohe kaq të shkurtër, një grua që më parë nuk ka qenë pjesë e jetës publike, ka marrë vëmendjen e gjithë publikut kosovar, në kuptimin më pozitiv të mundshëm.

“Kjo tregon më së miri për vlerat profesionale, njerëzore dhe vizionin konkret për Komunën e Pejës që përfaqëson Sabiha Shala. Kjo tregon se ne kemi kandiduar njeriun më të mirë dhe më të përgatitur për të udhëhequr me Pejën. Kjo tregon se Peja dhe Kosova ka nevojë për lidershipin e grave në politikë dhe biznes”, ka thënë Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se ashtu sikurse një pejane që me talentin e saj ka bërë mrekulli në sportin botëror, ashtu edhe një pejane tjetër me lidershipin e saj do ta transformojë Pejën.

Ndërsa, kandidatja për Kryetare të Pejës, Sabiha Shala, ka thënë se Pejës i duhet patjetër Forca e Ndryshimit.

“Ndryshimi i nevojshëm është duke ardhur. Zhvillimi i Pejës është zhvillimi ynë”, ka thënë Shala.

Ajo ka premtuar 24 milionë euro investime dhe 10 mijë vende të reja të punës në mandatin e saj qeverisës.

“Çdo i diplomuar do të punësohet për dy vite me punë praktike. Çdo familja e komunës sonë do ketë së paku një pjesëtar të familjes në punë dhe Pejën do ta fshijmë nga harta e papunësisë”, ka thënë Shala.

Kandidatja e PDK-së për Kryetare të Pejës ka premtuar edhe investime prej 3 për qind të buxhetit për sportin, parkingje nëntokësore, sheshe të reja, hapje të fabrikave për punësimin e të rinjve dhe mbështetje institucionale për gratë në biznes.

Exit mobile version