Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesëmarrjes në Konferencën ndërkombëtare parlamentare të shteteve anëtare të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot në selinë e USAID-it në Washington është pritur në një takim të veçantë nga Susan Kosinski Fritz, zëvendës-administratore e lartë për Evropë dhe Euroazi.
Kryetari Veseli, sipas komunikatës nga Kuvendi i Kosovës, e falënderoi Fritz për ndihmën e pareshtur të Misionit të USAID-it ndaj Kosovës dhe Kuvendit të saj në veçanti, duke e konsideruar këtë përkrahje shumë të çmuar dhe tejet të nevojshme për institucionet e vendit tonë, gjatë procesit të ndërtimit dhe konsolidimit demokratik të tyre, transmeton Koha.net.
Kreu i Kuvendit shfaqi shpresën se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për zhvillimet aktuale në vendin tonë, tejkalimin e sfidave me të cilat ballafaqohet Kuvendi dhe shteti i Kosovës, si dhe për fokusin e projekteve zhvillimore, që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.