Telegrafi

Veseli falënderon qytetarët në veri të Mitrovicës për besimin e dhënë në zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë një vizitë në Mitrovicën veriore pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune, të cilat janë mbajtur të dielën (19 maj).

Veseli në një shkrim të bërë në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ka shkruar se në takim ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë, transmeton Telegrafi.

Ai ka theksuar se tani është e rëndësishme, që të rriten investimet në këtë pjesë, në rindërtimin e shtëpive, në përmirësimin e infrastrukturës, në shëndetësi.

Veseli ka pohuar se prioritet të veçantë do të kenë investimet që përmirësojnë jetën e banorëve në këto komuna, veçanërisht të shqiptarëve.

Ndërkohë,Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar komune në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

Sipas të dhënave nga KQZ, kandidatët e Listës Serbe kanë marrë mbi 90 përqind të votave në katër komunat.

Në Leposaviq, kandidati për kryetar nga Lista Serbe, Zoran Todiq ka fituar 7015 vota apo 96.6%, pasuar nga kandidati i PDK-së, Shaqir Hetemi i cili ka marrë 144 vota apo 2.0%, kurse kandidati i VV-së, Fisnik Veseli ka marrë 105 vota apo 1.4%./Telegrafi/