Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka falënderuar shtet mike, të cilat i kanë ofruar ndihmë Republikës së Kosovës, gjatë përbaalljes me pandeminë COVID-19.
Veseli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova është e bekuar që ka shtete mike që i gjenden pranë në momente të vështira.
“Kosova është e bekuar që ka shtete mike partnere që na kanë ndihmuar në çdo sfidë gjatë së kaluarës dhe që na gjenden pranë gjithmonë në nevojë. Dëshiroj të falenderoj Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Turqinë për ndihmën bujare që na kanë dhënë gjatë ditëve të fundit, për të përballur luftën kundër koronavirusit”, shkruan Veseli.
Ai theksoi se Republika e Kosovës ka nevojë për ndihmë në këtë luftë kundër virusit, duke marrë parasysh që edhe vendet më të zhvilluara po hasin në vështirësi për tu përballur me këtë situatë.
“Ne mirëpresim dhe vlerësojmë jashtë mase çdo ndihmë që vjen në këtë situatë të rëndë. Kosova ka ende nevojë për ndihmë nga miqtë, sepse të gjithë e kemi parë se lufta kundër pandemisë ka vënë në vështirësi edhe shtetet më të zhvilluara të botës. Populli i Kosovës nuk do të harrojë kurrë ndihmën e dhënë në këtë moment të vështirë”, theksoi Veseli. /Telegrafi/