Telegrafi

Veseli e quan fosil Jusuf Buxhovin

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke komentuar deklaratën e publicistit dhe historianit Jusuf Buxhovi, i cili ka deklaruar se “në luftën e UÇK-së ka pasur elementë të papastër” dhe ka përmendur edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të LDK-së, ka thënë se Buxhovi është një lloj i fosilit, i cili nuk i ndihmon qartësimit të së vërtetës historike.

Veseli për vrasjet e pasluftës ka thënë se “është një nga elementët më të dhembshëm pas luftës së Kosovës, së cilës duhet t’i shkohet deri në fund”.

“Ka të bëjë me vrasje pas luftës të cilat janë kriminale nga njerëz të këqij, të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës, por personi i cili e ka vënë këtë theks në këtë formë njëngjyrëshe, është lloji i fosilit i cili nuk i ndihmon as qartësimit të së vërtetës historike, pavarësisht se lufta në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës …”, ka thënë Veseli.

Ndërsa, në ndërhyrjen e gazetarit se “ai [Buxhovi] a thënë megjithatë që lufta ishte një faqe e lavdishme…”, Veseli tha se “…pavarësisht, mund të ketë pasur edhe gabime, por varet se nga kush vjen, nga personi”.

“Për të folur në këtë pjesën, në shtet ligjor. I pamëshirshëm do të jem ndaj gjithë atyre që kanë thyer ligjin dhe kanë bërë gabime, qoftë gjatë lufte, qoftë pas lufte. Por në të njëjtën kohë edhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të mbrohen deri në fund dhe jo çdokush të vërë pikëpyetje për to kur të dojë”, tha Veseli. /Telegrafi/