Site icon Telegrafi

Veseli e Pacolli japin data të ndryshme për ratifikimin e Demarkacionit

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është bindur se pas gjetjes së konsensusit me partitë shqiptare të mërkurën do të kalojë marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Pres të kalojë, për arsye se presin qytetarët e vendit tonë. Askush nuk ka të drejtë që t’i bllokojë qytetarët në rrugëtimin e vet drejt Bashkimit Evropian, liberalizimin e vizave, forcimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës. Lajm i mirë është se kemi arritur një konsensus. Ka vetëm më shumë se një muaj përpjekje dhe më në fund është kurorëzuar shumë mirë dhe tani më një pjesë e opozitës dhe pozita ka një gjuhë të përbashkët në ratifikimin e marrëveshjes së shënimit të kufirit, por presim edhe reflektim nga kolegët e Lëvizjes Vetëvendosje edhe Listës Serbe, në mënyrë që ditën e mërkurë ta përfundojmë”, ka thënë ndër të tjerash kreu i Kuvendit, Kadri Veseli në një intervistë për RTV21.

Edhe pse nuk tregoi nëse i kanë siguruar votat e mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit, Veseli thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me deputetët që po e kundërshtojnë ratifikimin e demarkacionit që të mërkurën ta votojnë marrëveshjen.

Ai shpreson që pas ratifikimit të marrëveshjes qytetarët mund të lëvizin lirshëm në muajin dhjetor.

Por kështu nuk mendon zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli, i cili thotë se nuk pret që votimi i marrëveshjes për demarkacion të bëhet në seancën e caktuar për të mërkurën e javës tjetër.

Ai thotë se në mbledhjen e së mërkurës pritet të ketë vetëm debat derisa tregon kohën se kur pritet të marrë fund kjo çështje.

“Do të ishte një mrekulli nëse do të ndodhë miratimi i kësaj marrëveshje ditën e mërkurë. Unë po frikësohem se është herët. Kundër dëshirës time por unë e shoh javën e dytë të marsit si kyçe për këtë”, ka thënë Pacolli për Klan Kosova, teksa ka shtuar se pavarësisht nëse hidhet në votim javën e ardhshme apo pas dy javësh demarkacioni do të kryhet.

Exit mobile version