Telegrafi

Veseli drejtuesve të BSPK-së: Mbroni vlerat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat

Kemi kaluar një proces të rëndësishëm historik. Këtij suksesi i ka kontribuuar shumë edhe BSPK-ja. Jemi në kontinuitet të proceseve dhe kemi dëshmuar me sukses qëndrueshmërinë e vlerave të shtetit që po ndërtojmë, theksoi kryetari Kadri Veseli në takim me kreun e BSPK-së.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi me bashkëpunëtorë.

Kryeparlamentari Veseli pranoi urimet nga krerët e BSPK-së si dhe mori gatishmërinë e tyre për të thelluar bashkëpunimin me Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, në takim u theksuan të arriturat e BSPK-së, ligjet e miratuara që prekin drejtpërdrejtë çështjen e sindikatave, marrëveshjen kolektive, dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në sektorin publik dhe privat.

Gjatë takimit, kryeparlamentari Veseli i falënderoi drejtuesit e sindikatës për punën e përkushtuar në proceset historike nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë, në veçanti sakrificën e pakursyer të punëtorisë kosovare.

“Kemi kaluar një proces të rëndësishëm historik. Këtij suksesi i ka kontribuuar shumë edhe BSPK-ja. Jemi në kontinuitet të proceseve dhe kemi dëshmuar me sukses qëndrueshmërinë e vlerave të shtetit që po ndërtojmë. BSPK-ja ka dëshmuar pjekuri dhe gatishmëri për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve , andaj ju inkurajoj që me përkushtim të vazhdoni t’i mbroni vlerat e punëtorisë kosovare, edhe në sektorin publik edhe atë privat, duke ofruar bashkëpunim të plotë”, theksoi kryetari Kuvendit, Kadri Veseli.

Nga takimi doli qëndrimi i përbashkët se fryma e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të faktorëve relevant institucionalë do të çojë përpara të drejtat e punëtorëve. /Telegrafi/