Telegrafi

Veseli drejtuesve të AKB-së: Do të mbështes iniciativat tuaja që të jeni afër hartimit të ligjeve

Mbështetje e plotë institucionale për ekonominë dhe asociacionet profesionale që organizojnë, promovojnë dhe mbrojnë interesat e biznesit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot, Agim Shahinin, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit me bashkëpunëtorë.

Shahini me bashkëpunëtorë nga disa kompani prodhuese të njohura vendore, paraqiti misionin, gjendjen dhe sfidat e Aleancës Kosovare të Biznesit. Ata e njohën kryetarin Veseli me procedurat e zgjedhjeve të fundit në nivelin lokal, rajonal dhe qendror të AKB-së.

Në takim u fol për situatën e të bërit biznes në vend, tatimet, konkurrencën, çështjen e doganave, lirimin nga TVSh-ja, energjinë si dhe problematikën që e përcjell prodhuesin vendor, kompanitë vendore, si dhe perspektivën e krijimit të vendeve të reja të punës.

Veseli premtoi mbështetjen e plotë institucionale për ekonominë dhe asociacionet profesionale që organizojnë, promovojnë dhe mbrojnë interesat e biznesit, duke theksuar se ekonomia në parlament do të jetë me prioritet të lartë. “Do të mbështes iniciativat tuaja që të jeni çdo ditë në Kuvend dhe afër hartimit të ligjeve që lehtësojnë punën e biznesit vendor, të keni ndikimin e merituar për zhvillimin e vendit. Prania e çështjes së zhvillimit ekonomik në çdo seancë plenare do të jetë e mirëseardhur. Kontribuoni që të hiqen pengesat që frenojnë punësimin dhe iniciativën private, investimet në vend, prodhimin vendor dhe punësimin e të rinjve tanë”, theksoi Kryetari i Kuvendit.

Veseli i inkurajoi të pranishmit që së bashku me asociacionet tjera që merren me promovimin e biznesit të krijojnë prioritetet dhe ato t’i parashtrojnë në Kuvend me qëllim të lehtësimit të të bërit biznes, lehtësimin e klimës biznesore dhe tërheqjen e investitorëve, sepse këto mundësi i ka vendi ynë.
Kryetari i AKB-së Shahini ia dorëzoi kryetarit Veseli analizën vjetore të AKB-së për profilet e profesioneve të kërkueshme dhe profesionet që kërkojnë punë, botim ky që është në shërbim edhe të institucioneve për të planifikuar orientimin e aftësimit profesional. AKB përfaqëson mbi 10500 kompani nga të gjitha pjesët e Kosovës. /Telegrafi/