Site icon Telegrafi

Veseli dhe Nita Lowey bisedojnë për zhvillimet në Kosovë

Në kuadër të vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi kongresmenen Nita Lowey, e cila është në këtë detyrë që nga viti 1989, njohëse e mirë e rajonit të Ballkanit perëndimor, e posaçërisht shquhet si mike e përkrahëse e madhe e Kosovës.

Në takim u bisedua për zhvillimet e fundit në vendin tonë dhe aspiratat e Kosovës në të ardhmen.

Kryeparlamentari Veseli e njoftoi Loweyn për angazhimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, agjendën legjislative dhe synimet e kësaj agjende.

Kongresmenia Lowey, ndërkaq, theksoi se rajoni i Ballkanit vetëm nëpërmes dialogut dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mund të ecë përpara.

Gjithashtu, ajo ritheksoi se Kosova, e sidomos Kuvendi i Republikës së Kosovës, gjithmonë do të kenë përkrahjen e saj.

Kryetari Veseli bisedoi po ashtu për zhvillimet në vend dhe rajon, si dhe për realizimin e agjendës së Kuvendit, duke mbetur të përkushtuar për procesin e integrimeve euro-atlantike, zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.

Theks i veçantë iu dha nevojës për një marrëdhënie me cilësi të re në mes të Kosovës dhe NATO-s. /Telegrafi/

Exit mobile version