Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Angelina Eichhorst, Zëvendësdrejtoreshë Menaxhuese për Evropë dhe Azinë Qendrore dhe Drejtoreshë për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm Evropian.
Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në Kosovë, procesin e integrimit evropian të saj dhe hapat që duhet ndërmarrë në këtë proces.
Zyrtarja e lartë e BE-së i konfirmoi kryeparlamentarit Veseli mbështetjen e fuqishme të Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa shfaqi shpresën në përmbushjen sa më të shpejtë të të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli e siguroi znj. Eichhorst se institucionet e reja të Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht për përmbushjen e kritereve që mundësojnë heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe lehtësojnë rrugën evropiane të saj.
Veseli tha se Kosova po punon maksimalisht, së bashku më partnerët e saj, në avancimin e reformave demokratike, forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar.
Eichhorst uroi kryeparlamentarin Veseli për rizgjedhjen e tij kryetar i Kuvendit, ndërsa shfaqi shpresën që bashkëpunimi midis Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Kosovës do të thellohet edhe më tej.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova.