Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kujtuar protestën e studentëve të vitit 1981.
Në një shkrim, ai ka thënë se sot, 37 vite më pas, kur Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, duhet të nderohen dhe kujtohen me konsideratë të lartë të gjithë ata protestues, studentë e qytetarë.
Sipas tij, Kosova nuk ishte një entitet gjeografik siç dëshironte ta shihte politika jugosllave, por një entitet tërësisht politik.
“11 marsi i vitit 1981, nuk ishte vetëm simbolikë e shprehjes së pakënaqësive me gjendjen e përgjithshme sociale e politike të shoqërisë kosovare, por ka një domethënie historike që nuk mund të anashkalohet”, tha Veseli.
Ky është postimi i plotë:
Protesta e studentëve e 11 marsit të vitit 1981, nuk ishte vetëm simbolikë e shprehjes së pakënaqësive me gjendjen e përgjithshme sociale e politike të shoqërisë kosovare, por ka një domethënie historike që nuk mund të anashkalohet.
Ajo e fuqizoi përfundimisht realitetin se Kosova nuk ishte një entitet gjeografik siç dëshironte ta shihte politika jugosllave, por një entitet tërësisht politik, çështja e së cilës do të duhej të shtrohej për një zgjidhje përfundimtare dhe se kundër këtij fakti nuk kishte asnjë alternativë konformiteti.
Sot, 37 vite më pas, kur Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, duhet t’i nderojmë dhe kujtojmë me konsideratë të lartë të gjithë ata protestues, studentë e qytetarë, të cilët e patën një vizion të tillë dhe që me mund e sakrificë vulosën të ardhmen e pa kompromis drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.
Tash, garancia e këtyre përpjekjeve është rinia e Republikës së Kosovës, janë qytetarët e saj të cilët çdo ditë forcojnë integritetin e lirisë dhe i japin kuptim ndërtimit të shtetit demokratik.
Ky vizion duhet të na përcjellë edhe më tutje, veçmas tani kur kemi hyrë në Dekadën e Re, dekadën e besimit në vlerat demokratike, dekadën e zhvillimit dhe mirëqenies, dekadën e integrimit në familjen evropiane. /Telegrafi/