Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në emër të Grupit parlamentar të PDK-së, tha se qëndrimi politik i partisë që ai drejton është që t’i vazhdohet mandati EULEX-it në Kosovë.
Ai tha se ky është një qëndrim, opsion dhe alternativ e qytetarëve për orientimin properëndimor të Kosovës.
Veseli tha se Kosova ka ngecje në fushën e sundimit të ligjit dhe në këtë drejtim ka nevojë për mbështetje në fushën e sundimit të ligjit, por në këtë drejtim tha duhet të ketë partneritet.
Kreu i PDK-së tha se pavarësisht çdo gjëje, për çdo dështim në drejtësi përgjegjësia bie mbi institucionet vendore pasi Kosova është shteti jonë.
Ai po ashtu tha se paragjykimet dhe sulmet ndaj ushtarëve të UÇK-së duhet të ndalen.
Veseli tha se matrapazët të harrojnë se do t’i detyrojnë ushtarët e UÇK-së ta ulin kokën.
Kreu i PDK-së tha se secili që ka bërë krime duhet të ndëshkohet, pavarësisht nëse ka qenë pjesëtar i UÇK-së, dhe secili ka përgjegjësinë e vet, qoftë qytetar, qoftë ushtar, por sipas tij, duhet të ndalen paragjykimet.
Veseli kërkoi që faktet duhet të dërgohen në Prokurori, me emra, e jo të përgjithësohen.
Kreu i PDK-së, po ashtu tha se ideja që EULEX-i është këtu që t’i ndjekë vetëm ushtarët e UÇK-së nuk qëndron. /Telegrafi/