Site icon Telegrafi

Veseli: Bregdeti i Ulqinit mbetet një nga preferencat e kosovarëve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim kryetarin e Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, me të cilin bisedoi për situatën aktuale në vendin tonë dhe zhvillimet që përcollën skenën politike të Ulqinit në muajt e fundit.

Sipas një njoftimi të Kuvendit të Kosovës, kreu i Kuvendit të Kosovës dhe ai i Komunës së Ulqinit biseduan për lidhjet e fuqishme dhe të hershme që ekzistojnë midis Kosovës dhe qytetit të Ulqinit, përkatësisht qytetarëve respektivë, duke shtruar nevojën që këto raporte të forcohen edhe më tej.

“Kryeparlamentari Veseli theksoi se bregdeti i Ulqinit vazhdon të mbetet një nga preferencat kryesore të turistëve nga Kosova, që lidhet edhe me pritjen bujare të ulqinakëve. Në takim u bisedua edhe për të drejtat e shqiptarëve në shtetin malazez, duke e konsideruar këtë komunitet si një urë të rëndësishme bashkëpunimi midis dy shteteve. Veseli dhe Cungu potencuan aspiratat e përbashkëta të Kosovës dhe Malit të Zi për vazhdimin e rrugës së integrimeve euro-atlantike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version