Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka dalë në mbështetje të iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila nesër më datë 24 maj do të nis aksionin e saj tashmë tradicional për pastrimin e tërë Kosovës.
Veseli përmes një postimi në Facebook u ka bërë thirrje të gjithëve që të bëhen pjesë e kësaj nisme të cilën ai e quajti fisnike dhe patriotike.
Postimi i plotë:
Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën 2016” që fillon nesër dhe që organizohet nga Let’s do it Kosova meriton të përgëzohet dhe përkrahet nga të gjithë. Organizatorët përfaqësojnë modelin më të mirë të shoqërisë civile të mbështetur në vullnetariat dhe përgjegjësi sociale. Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjese e kësaj nisme fisnike dhe patriotike. Atdhedashuria e vërtetë dëshmohet pikërisht me kësilloj vepra konkrete dhe jo me fjalë romantike boshe. Ne jo vetëm duhet që ta pastrojmë Kosovën por duhet të ngrejmë lartë vetëdijen qytetare dhe përpiqemi që edhe ta mbajmë të pastër. K.V.