Kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot kanë bashkëbiseduar me studentët e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT).
Veseli ka thënë se ka ngecje në krijimin e vendeve të punës, në zhvillimin ekonomik dhe ka stagnim në procesin e integrimeve euroatlantike.
Duke mos pasur prosperitet, Veseli ka thënë se legjitimitetin e qeverisjes në Qeveri dhe Kuvend kanë vendosur ta bartin te sovrani, tek qytetarët e vendit, të cilët duhet të vendosin sërish.
“Të rinjtë tanë meritojnë shpresë. Kur ju të diplomoni, ju duhet të gjeni një treg të punës që është i gatshëm për gjeneratat e reja. Fabrikat, ndërmarrjet bujqësore dhe kompanitë e teknologjisë duhet të garojnë mes vete për t’ju punësuar juve. Ky është Fillimi i Ri që unë e parashoh për juve dhe gjithë Kosovën”, ka thënë Veseli.
I pari i PDK-së ka thënë se të rinjtë në Kosovë e meritojnë një ekip udhëheqës që do ta ndërtojë një Kosovë të re për ata.
Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria e Isa Mustafës ka qenë shumë “Slow motion” dhe së bashku me Veselin do t’i japin dinamikë qeverisjen me vendin.
“Çelësi i çdo suksesi lidhet me menaxhimin. Qeverisja është menaxhim, që ka qëllim krijimin e vlerës së re, të cilën qeverisja e kaluar nuk e ka pas fare këtë qëllim. Kemi hy me guxim për krijimin e vlerës së re në vend dhe do ta realizojmë këtë”, ka thënë Haradinaj.
Veseli dhe Haradinaj kanë thënë se tash janë duke e harmonizuar edhe programin qeverisës dhe shumë shpejt do ta bëjnë edhe prezantimin e tij./Telegrafi/