Site icon Telegrafi

”Vërtetohet përmbajtja diskriminuese ndaj personave LBGT në librat e psikologjisë në Universitetin e Tetovës”

Përmes një kumtese dërguar Telegrafit Maqedoni, shoqatat që merren me çështjen e komunitetit LGBTI në Maqedoni bëjnë të ditur se ”Avokati i Popullit është deklaruar pozitivisht rreth parashtesës së Koalicionit DSSHBM dhe vërtetoi përmbajtje diskriminuese në librat e psikologjisë në Universitetin e Tetovës. Parashtesa kishte të bëjë me përmbajtjet diskriminuese dhe shqetësuese ndaj personave LGBT dhe personave të sëmurë nga HIV në librat “Psikopatologjia te fëmijët dhe të rinjtë” nga autorja Gordana Stankovska dhe “Psikologjia mjekësore” e autorëve Gordana Stankovska dhe Myqereme Rusi.”

Në kumtesën e shoqatave mes tjerash thuhet se ”autoret e librave të lartpërmendur po ashtu janë deklaruar se “do të korrigjohen të gjitha lëshimet, ashtu që do të pranohen të gjitha propozimet dhe sugjerimet e Avokatit të Popullit, me çka terminologjia dhe qëndrimet të cilat nuk përputhen me standardet dhe dokumentet më të reja ndërkombëtare për këto kategori të personave, do të hiqen ose të zëvendësohen në mënyrë adekuate…”

Një pjesë e përmbajtjeve kontestuese flasin për homoseksualitetin si çrregullim, i cili sipas autoreve mund të mënjanohen (mjekohen) nëse “…mënjanohen pengesat në zhvillimin e seksualitetit dhe arrihet identiteti gjinor.” Autoret pohojnë se “Veprimet homoseksuale në pubertet dhe rini duhet t’i kuptojmë si çrregullime në identitetin psiko-seksual…” Derisa për HIV shkruajnë se “menjëherë pasi u zbulua, sëmundja AIDS është e lidhur me ekzistimin e dy grupeve të njerëzve me rrezikshmëri: homoseksualët dhe narkomanët, të cilët drogohen në mënyrë intravenoze.” Me të gjitha këto deklarata bëhet diskriminim dhe shqetësim në bazë të orientimit seksual, duke u mbështetur në botëkuptimet e vjetra, të cilat në mendimin shkencor modern janë tejkaluar shumë kohë më parë dhe nuk janë në përputhshmëri me kuptimet shkencore.

Në veprimin e Avokatit të Popullit, ai iu drejtua Këshillit edukativo-shkencor të Fakultetit Filozofik pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës ku përdoren këto libra shkollor, me çka ka kërkuar dhe sugjeruar për nevojën që institucioni në mënyrë konsekuente t’i përmbahet dhe të veprojë në pajtim me Ligjin, ligjet dhe rregullativën ndërkombëtare, e cila e përfshinë sferën e cekur tematike. Nga fakulteti kanë dalë me deklaratën se “librat e publikuar dhe ndihmesat mësimore janë botuar në kohën kur është përdorur terminologjia e cekur, e cila ka të bëjë me zhvillimin psiko-seksual dhe çrregullimet e tija” edhe pse librat janë botuar në vitin 2006 dhe 2011, ndërsa homoseksualiteti nuk është sëmundje/çrregullim që nga viti 1990.

Koalicioni DSSHBM dhe LGBT Junajted Tetovë e përshëndesin angazhimin e Avokatit të Popullit dhe vendimin e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës për tërheqjen e përmbajtjeve të kontestueshme. Kërkojmë që në pajtim me informimin të cilin e pranuam nga Avokati i Popullit, në afatin më të shpejtë të mundur do të tërhiqen, që do të thotë edhe një hap përpara drejt tërheqjes së përmbajtjeve diskriminuese në arsimin sipëror dhe transformimin e tij në arsim emancipues, që promovon respektim dhe avancim të drejtave të njeriut, në vend të kërcënimit të tyre.”/Telegrafi/

Exit mobile version