Telegrafi

Vërshohen rrugë dhe shtëpi në Strumicë, edhe në Tetovë devijohet trafiku

Pamje dramatike pas stuhisë së fortë të pasdites në Strumicë. Pjesa e ulët e qytetit pranë rrugës “Mladinska” si dhe rruga “Krushevska Republika” është nën ujë.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut të ndjekur nga breshri, disa nga rrugët qendrore kanë qenë të pakalueshme për rreth një orë.

Ekipet e Njësisë Territoriale të Zjarrfikjes dhe NPK “Komunalec” ndodhen në terren. Sipas tyre, deri më tani nuk janë vërejtur dëme të mëdha nëpër banesa. U përmbytën kryesisht oborret dhe bodrumet.

Kryetari i komunës Kostadinov, ka bërë thirrje për qetësi në profilin e tij në Facebook. Ai tha se janë pranuar rreth 40 raporte për përmbytje të vogla.

Përveç në Strumicë, edhe në Manastir ka pasur reshje të rrëmbyeshme të shiut. Gjithashtu, edhe në Tetovë është rikahëzuar komunikacioni në bulevardin “Bllagoja Toska”.

Pritet që autoritetet e vendit të dalin me detaje më të hollësishme për reshjet e pasdites që kapluan disa qytete në vend./Telegrafi/