Reshjet e shiut që kanë nisur nga dita e shtunë kanë sjellë probleme në disa komuna të vendit, njëra ndër to është edhe ajo e Vushtrrisë.
Kryetari i kësaj komune Ferit Idrizi në një prononcim për KP thotë se aktualisht gjendja është stabile dhe se deri më tani asnjë familje nuk është evokuar.
‘’Prej mëngjesit jemi në terren me gjithë operatorët privatë të komunës së Vushtrrisë. Ndryshe, komuna e Vushtrrisë ka filluar përgatitjet qe katër muaj, kemi pastruar përrenjtë në të gjitha fshatrat pothuajse dhe ato kanë ndikuar drejt për së drejti që tani për tani ta kemi situatën nën kontroll. Nuk e kemi asnjë familje që është evokuar”, tha Idrizi.
Sipas Idrizit ka pasur dëme materiale në toka bujqësore. Ai kërkoi nga qytetarët që të mos bëjnë panik, pasi sipas tij situata është nën kontroll.
“Asnjë familje nuk ka pasur nevojë të evokohet, sepse asnjë shtëpi nuk është dëmtuar në atë masë për të pasur nevojë të intervenohet, ndërkaq në tokat bujqësore qe dy ditë ka rënë shi, dhe presim që pastaj t’i dërgojmë në komisione për të mbjellat, dëmet që janë shkaktuar dhe të dalim me një raport konkret…Po ashtu, bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë se për momentin nuk ka vend për panik. Ne jemi të mobilizuar me të gjitha kapacitet dhe për çdo rast ne jemi me qytetarët”, tha Idrizi.
Mehmet Ferati, kryetar i Bashkësisë Lokale në Sfaraqak thotë se falë intervenimeve të komunës nuk kanë pasur pengesa në lëvizje.
“Gjatë vërshimeve çdo herë kemi pasur problem falë intervenimeve të komunës nuk kemi pasur asnjë pengesë deri tani”, tha Ferati.
Axh Xhafa, banor në këtë komunë, thotë se komuna ka qenë e gatshme për intervenime.
“Intervenimet e komunës kanë qenë edhe më të hershme, por falë komunës nuk ka pasur pasoja në familje, gjendja është e mirë”, tha Xhafa.
Ndryshe, KosovaPress ka qenë gjatë ditës në Pestovë të Vushtrrisë, në të cilën përmes pamjeve shihet se banorët në disa shtëpi aty janë bllokuar nga vërshimet.