Site icon Telegrafi

Vërshimet iu hapin telashe trajnerëve

Të reshurat e shpeshta të shiut kanë bërë që fushat të mos jenë të gatshme as për stërvitje dhe kjo është kokëçarje e re për trajnerët, të cilët megjithatë po e gjejnë mënyrën që futbollistët të mos ndalen dhe t’i presin të gatshme ballafaqimet e reja. Në këtë situatë, më së vështiri duket se e kanë futbollistët e Besës së Pejës, pasi fusha e futbollit në “Shahin Haxhiislami” është ende e mbuluar me ujë.

“Pavarësisht situatës së krijuar ne duhet t’i vazhdojnë ushtrimet dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ndalemi. Për momentin jemi duke stërvitur në një fushë të improvizuar te birraria, ku kushtet nuk janë fare të mira, por nuk kemi zgjidhje tjetër. Pas përgatitjeve të shumta, çdo pushim shkon në dëm të futbollistëve “, tha kryetrajneri i Besës Miftar Rama, duke bërë me dije se edhe në rast se uji largohet nga fusha, futbollistët nuk mund të ushtrojnë për një kohë aty, pasi ajo do të dëmtohej shumë e kjo nuk është mirë veçmas pas investimeve të bërë aty.

Lajmi mbase i vetëm i mirë nga kjo skuadër gjatë këtyre ditëve është se dy futbollistët Mensur Duraku e Florent Papuçi kanë filluar ushtrimet dhe janë të gatshëm për sidat që i presin.

Gjendje më e mirë nuk është as në Drenas, ku fusha gjithashtu është e mbuluar me ujë dhe pamundëson stërvitjet e kësaj skuadre. “Jemi të detyruar që stërvitjet t’i kryejmë në objekt të mbyllur, pra në palestra pasi është e pamundur të gjejmë hapësira të përshtatshme. Edhe jashtë fushës së futbollit ku më parë kemi stërvitur në një hapësirë të vogël tani nuk ka kushte dhe çdo gjë varet nga moti që do të merr gjatë ditëve në vijim”, tha kryetrajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, sipas të cilit uji në fushën e futbollit ka filluar të largohet por nuk mund të flitet për lojë, e as për stërvitje.

Edhe kryetrajneri i Ferronikelit, Ramiz Krasniqi ballafaqohet me telashe të ngjashme dhe nuk e ka të qartë se deri kur mund të zgjas kjo. Fusha edhe ashtu ka qenë në gjendje të vështirë dhe për një kohë nuk ka gjasa që aty të zhvillohen ndeshjet e as stërvitjet.

“Jemi duke stërvitur në kushte jashtëzakonisht të vështira, në një hapësirë me shumë baltë e ujë, andaj sot u detyruam të futem në objekt të mbyllur që sado pak mund të ushtrohet diçka”, tha Krasniqi.

Se në çfarë gjendje është kjo skuadër dëshmon edhe fakti se ende nuk dihet ku dhe kur do të zhvillohet ndeshja e javës së 19-të kundër Trepçës. Më parë ishte caktuar që ajo të luhet në Drenas, por pas reshjeve të fundit gjasat janë shumë të vogla për të mos thënë fare, kështu që drejtuesit e Ferronikelit janë në kërkim të një fushë tjetër.

A do të jetë ajo në Kastriot apo Fushë Kosovës mbetet të shihet gjatë dy ditëve. Në situatë të ngjashme janë edhe skuadrat tjera veçmas nga rrafshi i Dukagjini, ndërkohë që skuadrat nga pjesët tjera të vendit tonë janë diçka në gjendje më të mirë sa i përket fushave, por as ato nuk janë pa telashe, raporton Zëri. /Telegrafi/ 

Exit mobile version