Site icon Telegrafi

Vërshimet e 2023-së, banorët e lagjes Bair në Mitrovicë ende pa kulm mbi kokë

Vërshimet e janarit të 2023-ës, shkaktuan dëme të mëdha në lagjen Bair të Mitrovicës, ku  shumë shtëpi u rrënuan për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Banorët e kësaj lagjeje janë detyruar t’i lënë shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim nëpër lagje të tjera të qytetit.

Njëri nga ata është Gazmend Maliqi, i cili për Telegrafin ka rrëfyer se shtëpia e tij ka mbetur e pabanuar për shkak të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet pas reshjeve të shiut.

Ai shprehu shqetësimin se megjithëse Komuna e Mitrovicës e ka mbështetur me një shumë të caktuar, ajo është e pamjaftueshme për të rindërtuar shtëpinë.

Përveç dëmeve të mëdha materiale, Maliqi theksoi se familja e tij ka humbur edhe tokën që kishte, duke e përshkruar këtë si një situatë të vështirë.

“Prej datës 27 janar 2023 nuk jetojmë më në shtëpitë tona. Pas reshjeve të shiut, shtëpitë filluan të çahen dhe u bënë të pabanueshme. Komuna e Mitrovicës, përmes Inspektoratit, na rekomandoi të braktisim këto hapësira. Që atëherë, kemi qenë të detyruar të jetojmë me qira në qytet,” shpjegoi ai.

Ai tha se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të dalin në terren dhe të bëjnë vlerësimin e gjendjes duke treguar se ka dërguar me dhjetëra e-mail, mirëpo siç tha “që një muaj nuk kemi marr ndonjë përgjigje nga ta”.

“Kam dërgu me dhjetëra e-mail, duke filluar nga kryeministri dhe ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla duke e ditur se menaxhon me Agjencionin për Menaxhimin e Emergjencës. Mirëpo, deri para një muaji ne nuk kemi pas ndonjë kontakt me ta. Kam kërku edhe disa herë ta kemi dikë nga Komisioni i fatkeqësive natyrore, mirëpo gjithmonë na ka refuzu”, ka thënë Maliqi.

Lexo po ashtu Komuna e Mitrovicës ndan nga 2 mijë e 500 euro për familjet e prekura nga vërshimet

Nga ana tjetër, Drejtori i Sigurisë dhe Emergjencës në Komunën e Mitrovicës, Bahtir Maxhuni, tha për Telegrafin, se pas vlerësimit të rrezikut duke u bazuar në raportet e Shërbimit Gjeologjik të Kosovës dhe departamentit të vlerësimit të rrezikut, është konstatuar se ndërtimi dhe rinovimi janë të ndaluara në këtë territor.

Përveç kësaj, Maxhuni theksoi se Komuna ka ndarë një ndihmë financiare për të prekurit e kësaj zone.

Çdo familje ka marrë një shumë prej 10 mijë eurosh, si dhe është ofruar mbështetje për pagesën e qirasë për një vit, sipas mundësive ligjore.

“Ne si komunë gjithashtu kemi ofruar ndihma me ushqime dhe ndihma tjera,” shtoi ai.

Maxhuni bëri të ditur se Komuna ka kërkuar nga qeveria që të dërgojë një ekip ekspertësh për të vlerësuar më tej situatën dhe për të hartuar një plan për parandalimin e rrëshqitjeve të mundshme në të ardhmen.

“Kemi kërkuar nga niveli qendror që të formojë një ekip ekspertësh që të dalin në terren dhe të bëjnë një studim të fizibilitetit, për të kuptuar shkakun e rrëshqitjes dhe për të marrë masa që të ndalohet ky fenomen,” tha ai.

Në ndërkohë, Telegrafit ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. /Telegrafi/

Exit mobile version