Site icon Telegrafi

Vërshimet 26 qershorit në Dragash, kryetari i komunës akuzon Kurtin për mungesë të ndihmës

Vërshimet e 26 qershorit në Dragash shkaktuan dëme të mëdha materiale, duke përmbytur dhjetëra shtëpi, biznese dhe duke dëmtuar infrastrukturën rrugore në disa zona të qytetit.

Një ditë pas fatkeqësisë, kryeministri Albin Kurti vizitoi zonën e prekur, duke premtuar mbështetje nga Qeveria e Kosovës pas përfundimit të vlerësimit të dëmeve.

Megjithatë, më shumë se një muaj pas kësaj vizite, kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, ka reaguar ashpër ndaj mungesës së ndihmës nga institucionet qendrore.

Ai ka shpërndarë postimin e 27 qershorit të kryeministrit Kurti, duke theksuar se komuna ende nuk ka pranuar asnjë ndihmë apo përgjigje zyrtare.

“Deri sot, asnjë ndihmë dhe asnjë përgjigje. Si qeveri lokale, me kohë kemi realizuar vlerësimin financiar të dëmeve dhe jemi të përkushtuar të vazhdojmë kërkesat për mbulimin e këtyre dëmeve nga Qeveria e Kosovës”, ka shkruar Xheladini.

Situata mbetet shqetësuese për banorët e prekur, të cilët ende përballen me pasojat e vërshimeve dhe presin një përgjigje konkrete nga autoritetet qendrore./Telegrafi/

Exit mobile version