Kryeministri Thaçi gjatë fushatës parazgjedhore të nëntorit të vitit të kaluar ka bërë shumë premtime për realizim të projekteve të cilat nga opozita dhe nga analistët u panë të parealizueshme për shkak të buxhetit të vogël të Republikës së Kosovës. Një ndër premtimet më të mëdha ishte rritja e pagave të shërbyesve civilë, të cilin premtim kryeministri Thaçi posa e formoi qeverinë e realizoi duke çuar kështu deri te zbehja e marrëdhënieve të Kosovës me FMN-në, e cila ishte kundër kësaj rritjeje dhe kjo rezultoi me vendimin e FMN-së që Kosovës mos t’ia japq asnjë cent për këtë vit. Një sfidë e qeverisë ‘Thaçi 2’ ishte edhe miratimi i ligjit për ish ushtarët e UÇK-së, i cili ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës për shkak të mungesës së buxhetit për implementimin e këtij ligji. Po ashtu, edhe Autostrada "Ibrahim Rugova", e cila për t’u përfunduar sipas afatit të përcaktuar duhet të këtë më shumë buxhet të cilin Qeveria nuk e ka .
Për këto projekte dhe shumë premtime tjera që kryeministri Thaçi i ka premtuar, do të realizohen tani me paratë që tani do të vijnë me vendosjen e kontrollit në pikat doganore 1 dhe 31, pasi që Kosova deri tani nga këto pika ka humbur miliona para.
Prandaj ky hap për marrjen nën kontroll të pikave 1 dhe 31 në veri të Kosovës, është një vendim shumë i qëlluar, i cili përpos që mundëson shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ai bën të mundur edhe rritjen e buxhetit të Kosovës dhe realizimin e projekteve të planifikuara nga qeveria Thaçi.
Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk guxon që ta kthejë mbrapa këtë vendim, i cili na kushtoi me një jetë, por duhet që përpos te pikat doganore 1 dhe 31, duhet të jetë më shumë prezent në veri të Kosovë që t’i ndalojë vandalët serbë që të fillojnë me provokime për shqiptarët në mënyrë që të evitojmë trazirat e mundshme në veri .
Ky vendim në asnjë mënyrë nuk duhet kthyer mbrapa, sepse nëse ndodh një gjë e tillë atëherë më vonë do të jete shumë më e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të shtrihet autoriteti shtetëror në këtë pjesë të vendit dhe serbët do të jenë shumë më të përgatitur për të rezistuar që të arrihet një gjë e tillë.
Republika e Kosovës nuk duhet që të bashkëpunojë më me Serbinë në aspektin ekonomik nëse kjo e fundit nuk i njeh vulat e Republikës së Kosovës por duhet të gjejë rrugë tjera për import dhe eksport. Deri më tani shumica e produkteve që ne i konsumojmë kanë pasur prejardhjen nga Serbia dhe ato produkte nuk kanë qenë shumë produktive. Kosova duhet të fillojë importin dhe eksportin me Shqipërinë në mënyrë që përmes këtij bashkëpunimi t’i zhvillojmë shumë më shumë të dy shtetet tona shqiptare.