Banorët e komunave veriore të Kosovës me vite nuk kanë paguar faturat për shpenzimet e ujit. Mbi 12 milionë euro llogaritet vlera të cilën banorët serbë nuk e kanë paguar që nga përfundimi i luftës, thonë udhëheqës të Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, sipas të cilëve nëse nuk ndërmerren masa, rrezikohet ndërprerja e prodhimit të ujit nga kjo kompani.
Kompania Rajonale, Ujësjellësi “Mitrovica”, gjendet në Shipol. Ajo është e vetmja kompani e licencuar që kryen veprimtarinë e furnizimit me ujë të pijshëm dhe mirëmbajtjen e kanalizimit në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen komunat e Mitrovicës jugore dhe veriore, Vushtrrisë, Skenderajt dhe Zveçanit.
Edhe zyrtarë të Ministrisë se Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë në largim të Kosovës, pranojnë se uji i harxhuar në atë pjesë nuk paguhet.
Zyrtarë të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, kanë thënë se një ndër arsyet e mospagimit të faturave është refuzimi i qëllimshëm i pagesës së faturave nga konsumatorët, rastet sociale dhe pamundësia për inkasim. Ky problem, sipas tyre, është temë diskutimi që nga paslufta me të gjithë faktorët relevantë.
Për të mundësuar operimin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, thuhet se që nga viti 2009, kjo kompani është subvencionuar me mjete financiare nga Buxheti i Republikës së Kosovës në vlerë prej mbi pesë milionë euro, në mënyrë që të mbulohen shpenzimet operative të shkaktuara nga mos pagesa e faturave të qytetarëve, kryesisht të pjesës veriore të Mitrovicës.
Edhe kryeshefi ekzekutiv në kompaninë e Ujësjellësit “Mitrovica”, Sami Miftari, thotë se mbi pesë milionë euro janë dhënë subvencione nga Qeveria. Por, këto janë të pamjaftueshme për mundësinë e operimit të kompanisë. Ai kërkon nga institucionet e reja të dala nga zgjedhjeve e 11 qershorit, që ky problem të zgjidhet, marrë parasysh edhe natyrën politike që ka.
Miftari tregon se ka kërkuar që së paku institucionet shtetërore në atë pjesë të bëjnë pagesën e faturave, por as kjo nuk ka ndodhur.
Për faktin që 40 për qind e ujit të përgjithshëm, shpenzohet për komunat veriore të Mitrovicës, Miftari thotë se në raste të caktuara ndëshkohen qytetarët e komunave tjera (konkretisht Mitrovica jugore, Vushtrria dhe Skenderaj), me ndërprerje të furnizimit më uji, pasi furnizimi nuk lejohet të ndërpritet në pjesën veriore.
Banorët e veriut nuk paguajnë as faturat e energjisë së shpenzuar, edhe për ta çmimi për këtë produkt është pesë herë më i ulët sesa në rajonet tjera. Faturat e tyre arrijnë në tetë milionë euro në vit. Ndaj, duke e cilësuar këtë dallim mes qytetarëve si shkelje e të drejtave të njeriut, Institucioni i Avokatit të Popullit, tashmë ka hapur hetim zyrtarë. /REL/