Me gjithë prezencën e EULEX-it, vendeve te Kuintit dhe praninë e forcave të KFOR-it në veri, çështja e mos menaxhimit të kësaj pjese të Kosovës, ku cungohet siguria e qytetarëve mitrovicas – si rezultat i incidenteve të vazhdueshme – kërkon angazhim shumë faktorësh, duke përfshirë institucionet e sigurisë së shtetit të Kosovës, bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe bashkëpunimin me qytetarët e kësaj ane.
Të gjithë jemi dëshmitarë se kohëve të fundit është rritur intensiteti i akteve të dhunshme të ekstremistëve dhe strukturave paralele serbe ndaj shqiptarëve në veri, të cilat kanë prapavijë politike dhe kanë për qëllim të zbehin dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë. Kundruall kësaj situate tejet të tensionuar, deklaratat si “aktet e tilla të dhunës nuk duhet të tolerohen” dhe se “hetimet vazhdojnë”, janë bërë rutinë e vokabularit të politikanëve të Kosovës, si dhe dëshmi se nuk ka gatishmëri për të ndërmarrë masa konkrete drejt zbatimit dhe shtrirjes së ligjit në veri (pa marrë parasysh se krimi i organizuar dhe aktet e paligjshme në këtë pjesë të Kosovës janë në rritje e sipër).
Edhe plani paralajmërues i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve ilegale serbe me 6 maj, në qytetin e ndarë nga lumi Ibër, flet për një çështje tjetër të ndërlikuar politike e cila eventualisht mund të nxisë tensione të reja nëse nuk ndalen këto tentime. Po ashtu, incidentet e këtyre ditëve që i pamë në televizionet tona – arrestimet e kohëpaskohshme të shtetasve kosovarë – paraqesin një politikë të ashpër dhe të egër të Beogradit dhe Serbisë, politikë kjo denigruese që mund të shpie drejt marrëdhënieve edhe më të përkeqësuara ndërmjet dy shteteve.
Bilanci negativ i gjendjes në veri përmban në vete të vrarë, arrestime, kërcënime, mungesë sigurie, hedhje gjësendesh të forta, trauma, migrim dhe në përgjithësi kaos! Serbët e “arkanit”, ”sheshelit”, ”milosheviqit”, paraqesin rrezik jo vetëm për veriun, por për tërë Kosovën. Pazarllëqet politike të mundshme rreth ndarjes së Mitrovicës janë një hije në bisedimet e ardhshme “tekniko-politike”, të cilat mund të hapin diskutime të reja për ndryshim të statusit të kësaj pjese të Kosovës. Ka edhe të atillë që përjashtojnë ndarjen e veriut të Kosovës, duke sugjeruar krijim të një komune të re në veri. Por, të gjitha këto janë eksperimente të cilat për më shumë se një dekadë nuk treguan sukses në funksionalizimin e një zgjidhje të përhershme për Mitrovicën.
Veriu është në krizë dhe një situatë e pazgjidhur. Tensionet e vazhdueshme në Mitrovicë do të minojnë Kosovën në të gjitha proceset e avancimit të saj si shtet. Pra, nuk ka dhe nuk mund të ketë status të kënaqshëm përfundimtar për Kosovën, pa pasur trajtim të problemit të Mitrovicës në një mënyrë të pranueshme për të gjithë qytetarët e saj.