Site icon Telegrafi

Veriu i Kosovës, Ahtisaari, ambasadori Fitou dhe kryeministri Thaçi

– Forcat politike kosovare, nuk po reagojnë ndaj kryeministrit Thaçi që ka pranuar të bisedojë për bosnjizimin (konfederalizimin) e Kosovës, por ndaj ambasadorit Fitou që e bëri këtë publike dhe që meriton falënderim.

– Kosova ka mundësi reale të qëndrojë akoma te plani i Ahtisaarit dhe kushtetuta e saj, por për këtë duhet ta ndërrojë kryeministrin. Me ndërrimin e kryeministrit bien poshtë marrëveshjet e tij sekrete dhe mbesin në fuqi vetëm ato publike. Kjo është e vetmja mënyrë që Kosova ta ngre pazarin e saj të rënë përtokë para bisedimeve të pashmangshme me Beogradin.

Kishte kohë që disa ambasadorë të më kishin thënë në mirëbesim se kryeministri Thaçi ka pranuar që të bisedojë me Beogradin për statusin e Veriut të Kosovës. Fillimisht këtë e kam kuptuar si intrigë të tyre për personalitetin e kryeministrit apo edhe ndoshta provokim ndaj meje se apo marr turr që këtë ta bëjë publike. Nuk e bëra publike, thjesht për shkak të karakterit tim që kur tjetri ta thotë një gjë konfidencë (mirëbesim) nuk bënë të dalësh i pabesë.

Dyshimet e mia për këtë u hoqën sapo vetë kryeministri në një fjalim drejtuar kombit tha se “duhet të kihen parasysh specifikat e Veriut të Kosovës dhe se kërkohen ide të reja”. Ishte ky shqelm i rëndë ndaj Planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës nga ana e kryeministrit Thaçi, pasi as Plani i Ahtisaarit e as Kushtetuta e Kosovës nuk njohin rajon specifik të Kosovës, por gjithë Kosova përcaktohet si një territor unik.

Beogradi nuk mbeti prapa në pjesën e vet të kësaj loje. Vrasja e mjekut me përkatësi etnike boshnjake, plagosja e 11 serbëve, si dhe atentati mbi jetën e deputetit Petar Miletic, i treguan botës së Prishtina nuk e kontrollon Veriun e saj më shumë se sa të bëjë ndonjë sherr atje, dhe në fund, për t’i dhënë vulën gjithë kësaj erdhi deklarata e pa sens politik e ministrit Bajram Rexhepi se do të dërgojë njësitë speciale në Veri të Kosovës. Në vend se ato t’i staciononte kaherë atje dhe të mos bëzante, ai duke thënë se do t’i dërgojë atje ia bëri të ditur opinionit se nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë gjë.

Në një situatë të tillë, gjatë një debati të nxehtë në RTK, u soll muhabeti qe unë u detyrova ta përmend atë që më kishin thënë disa ambasadorë: se kryeministri Thaçi kishte pranuar që të bisedojë me Beogradin për statusin e Veriut të Kosovës. Prita që kryeministri të përpiqet ta demantojë këtë deklaratë timen që në fakt ishte akuzë për tradhti ndaj vendit. Por kryeministri nuk e mori këtë mundim. Përkundrazi, ambasadori francez Jean Francois Fitou e tha publikisht në një intervistë në “Zëri” atë që mua disa ambasadorë tjerë ma kishin thënë më parë në konfidencë. Të nesërmen reaguan forcat politike kosovare, por për habi jo ndaj kryeministrit që ka pranuar të bisedojë për këtë punë, por ndaj ambasadorit Fitou që e bëri këtë publike edhe pse asnjëri nuk e përmendi emrin e ambasadorit francez.

Edhe vetë zëvendëskryeministri Kuçi u deklarua se qeveria nuk e ka diskutuar këtë punë (çka këtu mund të jetë e vërtetë), por ai nuk mohoi se kryeministri ka pështjellë këtu punë.

Çështja është se çfarë faji ka këtu ambasadori Fitou që sulmohet nga politikanët kosovarë? Përkundrazi, ai u tregua miku më i mirë i Kosovës, që i tha publikut atë që tjerët po ia ziejnë çorbën e bosnjizimit (konfederalizimit) të saj dhe se i tregoi publikut kosovar se në këtë çorbë është vetë kryeministri i tyre Hashim Thaçi. Ambasadori Fitou meriton një falënderim të madh nga populli i Kosovës.

Por pse gjërat po rrokullisen kaq shpejt?
Me 22 korrik shpallet vendimi i GJND-së i cili ka gjasë të duket pak a shumë kështu: Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte e ligjshme, por shteti i Kosovës tashmë është një realitet. Në këtë është i bindur edhe Beogradi. Rrjedhojë e kësaj është ajo hajt të shohim se çfarë është ky realitet. Realiteti është se shteti i Kosovës funksionon në Prishtinë (me korrupsion, me një milion të meta tjera, por funksionon) por nuk funksionon në Veri të Kosovës (nuk funksionon pothuaj fare, ngjarjet e fundit po i rikujtojnë botës këtë fakt). Rrjedhim i kësaj është se çështja e Kosovës ende nuk është e zgjidhur si problem. Kjo do të thotë që plani i Ahtisaarit nuk po funksionon dhe që duhet kërkuar tjetër plan. Dhe Plani i Ahtisaarit mund të konsiderohet i dështuar, pasi qeveria Thaçi dhe ajo e Tadicit kanë punuar kundër këtij plani.

Esenca e Planit të Ahtisaarit ishte që shteti i Kosovës të krijojë ca komuna të reja serbe në jug të Kosovës në këmbim të marrjes së kontrollit të saj në Veri të Kosovës. Qeveria Thaçi ngaqë interesat e Kosovës ia shiti Beogradit krijoi komunat e reja pa e marrë kontrollin mbi Veriun e Kosovës. Ky proces duhej të zhvillohej paralelisht, por u zhvillua vetëm në një kah, atë kundër interesit të Kosovës. Nuk mund të thuhet se Qeveria Thaçi këtë e bëri nga naiviteti pasi këtë gjë e kam elaboruar qartë në një debat në Top Channel para dy viteve dhe në shkrimet e mia vazhdimisht.

Tashmë Beogradi e ka ngritur pazarin tepër lart: bosnjizimi (konfederalizimi) i Kosovës në këmbim të njohjes. Dhe këtë tashmë kryeministri Thaçi e ka pranuar pa dijeninë e popullit të Kosovës.

Ky pazar nuk është aspak interes i Kosovës. Kosova ka mundësi reale akoma të qëndrojë te plani i Ahtisaarit dhe kushtetuta e saj, por për këtë duhet ndërrojë kryeministrin. Me ndërrimin e kryeministrit bien poshtë edhe marrëveshjet e tij sekrete, dhe mbesin në fuqi vetëm ato marrëveshje që janë publike. Kjo është e vetmja mënyrë që Kosova ta ngrejë pazarin e saj para bisedimeve të pashmangshme me Beogradin.

Exit mobile version