Eurodeputeti liberal, Guy Verhofstadt u bëri thirrje evropianëve për t’u mbrojtur përballë rrethit të autokratëve që kërcënojnë BE-në dhe vlerat e saj, duke cituar presidentët, atë turk Recep Tayyip Erdogan, rusin Vladimir Putin si dhe presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.
“Më duket se gjithnjë e më tepër jemi të rrethuar nga autokratë si Putini, Erdogani dhe emërimet e para të Trump më shqetësojnë edhe më tepër”, tha për median, ish-kryeministri belg, që është kryenegociator i Brexit për Parlamentin Evropian, gjatë një seance plenare në Strasburg.
“Po konstatoj gjithnjë e më tepër një rreth personash që jo vetëm kanë ngjashmëri, por që kanë një këndvështrim të përbashkët, domethënë që kanë dëshirë për të shkatërruar mënyrën tonë të të menduarit, vlerat tona si BE që është përfaqësuese e tyre”, shprehu shqetësimin e tij Verhofstadt.
“Putin po financon në mënyrë të hapur populistët dhe ekstremistët anti-evropianë, partitë eurofobe kudo në Evropë”, u shpreh ai, ndërsa drejtoi kritika ndaj Erdoganit që po merret me çdo lëvizje opozitare turke aktive në Evropë.