Site icon Telegrafi

Verërat kosovare promovohen në panairin “Viroexpo 2018” në Kroaci

Bodrumet e verërave kosovare, po i promovojnë prodhimet e tyre në panairin “Viroexpo 2018”, i cili është duke u mbajtur në Virovitica të Kroacisë, ku përveç Kosovës po marrin pjesë edhe shtete tjera nga rajoni e më gjerë.

Pjesëmarrja e këtyre kompanive kosovare në këtë panair, është mundësuar falë mbështetjes së Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila gjatë tërë kohës është e fokusuar në promovimin e prodhimeve bujqësore edhe jashtë vendit.

Drejtori i Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë në MBPZHR, Bekim Hoxha, i cili është edhe udhëheqës i delegacionit kosovar në këtë panair, tha se bashkëpunimi i Kosovës me Kroacinë dhe me shtetet tjera është shumë i nevojshëm, pasi që sipas tij, përvoja e shteteve të zhvilluara në këtë sektor është e rëndësishme për institucionet vendore, në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit të hovshëm të bujqësisë.

Panairin e ka vizituar edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, i cili ka ofruar përkrahjen e tij për agrobizneset kosovare.

Ndryshe, në këtë panair, i cili është hapur sot dhe do të mbyllet me 25 shkurt 2018, prodhimet e tyre nga Kosova po i promovojnë bodrumet “Stone Castle”, “Bodrumi i Vjetër”, “Biopak”, “Rahovera” dhe “Muja-Ekovera”. /Telegrafi/

Exit mobile version