Telegrafi

Vërejtje ndaj Maqedonisë në raportin e Gjykatës Evropiane të Revizorëve (Video)

Kapacitete të pamjaftueshme, shkelje të afateve, vonim të realizimit të projekteve, mënyrë joadekuate e organizimit të furnizimeve publike… të gjitha këto thuhen në Raportin e Gjykatës Evropiane të Revizorëve si vërejtje ndaj Maqedonisë, thotë Aleksandar Kolekeski nga Qendra Maqedonase për Arsim Evropian. Për shkak të këtyre mungesave, vendi humbi 27,5 milionë euro të cilat ishin të destinuar për 20 projekte nga pakoja IPA 1, përcjell Telegrfi Maqedoni.

“Është pak specifike për Maqedoninë fakti që edhe projektet e realizuara nuk i dhanë efektet e pritshme. Konkretisht në fushën e drejtësisë. Ja për shembull, për projektin për dëshmitarët e mbrojtur ka mospërputhje, më pas ka edhe vërejtje edhe për projektet për Akademinë për gjykatës dhe prokurorë. Pra, të gjitha këto projekte, si edhe projektet nga korpusi antikorrupsion, nuk i dhanë rezultatet që u pritën”, thotë ai për Tv21.

Mjetet e ndaluara kryesisht ishin të destinuara për projekte infrastrukturore. Mjete nga fondet IPA që janë në dispozicion kanë të bëjnë me projektet nga fusha e sundimit të së drejtës, organizatave joqeveritare dhe mediave. Nikolla Bartoleti nga delegacioni i Bashkimit Evropian mori pjesë në konferencën vjetore për një shoqëri qytetare ku tha se ka rezultate pozitive, sidomos tek shoqëria civile.

“IPA do të jetë një instrument shumë i rëndësishëm për mbështetjen e Maqedonisë dhe shpresoj se vendi do ta shfrytëzojë këtë, në mënyrë që një ditë të bëhet partner i barabartë i Bashkimit Evropian. Shoqëria civile është një nga aktorët kyç dhe puna e saj është të punojë në konsultime dhe përmirësim të dialogut, pra me fjalë të tjera, të jetë zinxhir ndërmjet përfaqësuesve qeveritarë dhe qytetarëve”, u shpreh Bartoleti.

Gjykata Evropiane e Revizorëve kërkoi nga Bashkimi Evropian të pakësohen apo të anulohen një pjesë e ndihmës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo, sipas ekspertëve është paralajmërim për ashpërsim të masave monitoruese. Përndryshe, dyshimin e parë se bëhet fjalë për keqpërdorim të fondeve IPA në Maqedoni e ngriti organizata OLAV, hulumtimi i së cilës është duke vazhduar ende./Telegrafi/