Site icon Telegrafi

Vera historike për basketbollin e Kosovës

Kjo verë do të jetë historike për basketbollin e Kosovës, pasi do të marrë pjesë në gjashtë Kampionate Evropiane te grupmoshat U-20, U-18 dhe U-16, në të dyja konkurrencat, si dhe Kosova A, do të luajë në parakualifikime.

Kosova A (meshkujt) në parakualifikime për Evropianin e vitit 2021 do të ndeshet me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, me sistem vajtje-ardhje, derisa lideri i grupit kualifikohet tutje. Ndeshjet do të zhvillohen më 3, 7, 14 dhe 17 gusht. Dy zhvillohen në Mitrovicë dhe dy në udhëtim.

Edhe grupmoshat do të marrin pjesë në gara shumë të rëndësishme, përkatësisht në Kampionatet Evropiane, të gjitha janë në Divizionin B.

Kosova U-20 (meshkujt) do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që mbahet nga 12 deri më 21 korrik, në Matosinhos/Portugali. Kosova në Grupin C së bashku me Suedinë, Holandën, Gjeorgjinë, Estoninë dhe Armeninë.

Basketbollistët e Kosovës U-18 do të jenë pjesëmarrës në Evropianin U18, Divizioni B, nga 26 korriku deri më 4 gusht, në Oradea/Rumani. Kosova është në Grupin D së bashku me Bjellorusinë, Suedinë, Hungarinë, Austrinë dhe Portugalinë.

Ndërkohë, Kosova U-16 te meshkujt, do të marrë pjesë në Evropianin e Divizionit B, që mbahet nga 8 deri më 17 gusht, në Podgoricë/Mali i Zi. Kosova është në Grupin A së bashku me Suedinë, Norvegjinë, Bullgarinë, Poloninë dhe Hungarinë.

Edhe vashat e Kosovës do të jenë pjesë në tre Kampionate Evropiane, te grupmoshat U-20, që zhvillohet në Prishtinë, si dhe U-18 e U-16.

Kjo është hera e parë që Federata e Basketbollit e Kosovës do të organizojë Evropianin U-20, në konkurrencën e femrave nga 3 deri më 11 gusht, në Prishtinë/Kosovë. Kosova në Grupin A së bashku me Islandën, Kroacinë dhe Izraelin. Kjo është hera e parë që vashat e Kosovës në këtë kategori marrin pjesë në gara të tilla, që nga pranimi në FIBA.

Vashat e Kosovës U-18 do të jenë të parat që do të debutojnë në këtë verë, ku janë pjesëmarrëse të Evropianit, Divizioni B, që zhvillohet në Shkup të Maqedonisë Veriore nga 5 deri më 14 korrik. Kosova në Grupin A së bashku me Slloveninë, Danimarkën, Finlandën, Estoninë dhe Norvegjinë.

Të fundit do të jenë vashat U-16, që nga 15 deri më 24 gusht do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni B, në Sofje të Bullgarisë. Kosova në Grupin C së bashku me Sllovakinë, Kroacinë, Norvegjinë, Izraelin dhe Zvicrën.

Të gjitha ekipet Kombëtare të Kosovës janë duke u stërvitur maksimalisht për të pasur një prezantim sa më të mirë në këto gara shumë të rëndësishme.

Gjithashtu Përfaqësuesja e Kosovës 3×3 (Meshkujt) për herë të parë në histori këtë verë do të marr pjesë në gara ndërkombëtare të lojës 3×3. Bëhet fjalë për kualifikimet e FIBA 3×3 Europe Cup 2019 që do të mbahen në Constanta të Rumanisë më 29 dhe 30 qershor.

Basketbollistët që do të përfaqësojnë Kosovën për herë të parë në një garë zyrtare të lojës 3×3 janë:

Arti Hajdari (kampion Streetball Kosova 2018 me ekipin Depertejshen);

Altin Sahiti (nënkampion Streetball Kosova 2018 me ekipin Air Force One);

Albatrit Bershia (nënkampion Streetball Kosova 2018 me ekipin Air Force One);

Arian Mehmeti (nënkampion Streetball Kosova 2018 me ekipin Air Force One);

Basketbollistët do të udhëhiqen nga koordinatori i Kosova 3×3, Agon Fehmiu. Kosova është në grup me Rumaninë, Andorrën, Spanjën, Gjermaninë, Belgjikën, Turqinë, Portugalinë, Irlandën, Slloveninë dhe Azerbejxhanin. /Telegrafi/

Exit mobile version