Se vera është e shëndetshme nuk duhet të flasim shumë. Me arsye quhet pije e perëndive. Vera është e shëndetshme për trupin, mendjen dhe shpirtin. Me këtë pajtohen edhe të gjithë mjekët. Por, ndikimi i verës në shëndetin e njerëzve nxit pyetje dhe përgjigje shumë kontroverse.
Rexhep Kryeziu
Ekspert i vreshtarisë dhe verarisë
Deri sot janë bërë shumë studime mbi ndikimet pozitive dhe negative të verës në përgjithësi në organizmin e njeriut.
Ndonëse nuk jam mjek, megjithatë, qëndroj pas shqetësimeve mjaft pozitive të shumë konsumatorëve të verës. Megjithatë duhet t’i përmbahemi disa kushteve!
Ai i cili shijon rregullisht verë, duhet të ketë një dietë të ekuilibruar me ushqime mesatare, dhe duhet të ketë lëvizje të mjaftueshme.
Në këshillat e forumit gjerman “Wein und gesundheit” (Vera dhe shëndeti), thuhet se, një ditë në javë mund të bëni një pauzë pa përdorimin e verës.
Shumë ekspertë të tjerë, këshillojnë edhe deri dy ditë në javë.
Dashamirët e verës, nuk duhet të tejkalojnë masën e moderuar të konsumimit të verës. Sigurisht për meshkujt – 32 gram alkool në ditë, është një masë e padëmshme. Kjo masë korrespondon me 3 deri 4 dl verë, kurse për femrat, mjaftojnë 2 deri 3 dl verë në ditë.
Konsumuesit të cilët nuk i përmbahen masës së moderuar, e ekspozojnë veten ndaj rreziqeve serioze.
Masa e lartë e alkoolit dëmton mëlçinë, ndikon keq në sistemin e imunitetit, rrit rrezikun e kancerit në zgavrat e gojës, në laring, faring dhe në ezofag.
Dozat e tepruara nga vera e bardhë, sidomos nga ato verëra që janë përfituar nga rrushi jo i pjekur mirë, ose i trajtuar me doza të larta të acidit sulfuror, vjen deri te rreziku nga sëmundja e artritit (Arthritis), sipas klinikës së Reumatologjisë të universitetit të Cyrihut. Vera ndikon në gjumin jo të rehatshëm, nxit shqetësime dhe rrit pulsin.
Verërat me përmbajtje të larta të acidit sulfuror, janë përgjegjëse gjithashtu për shumë pasoja në shëndet.
Sipas studimeve të ndryshme, vera si pije e shëndetit, mund të jetë mjaft e dobishme. Pra, konsumuesit e moderuar të verës, jetojnë më gjatë se ata që nuk pinë fare. Në mënyrë të suksesshme, vera, zvogëlon rrezikun e sulmit në zemër (infarktit).
Vlerat e verës duhet të konstatohen me vetëdije të lartë, pasi nuk ka ndonjë pije tjetër më të gjithanshme se kjo.
Sipas motos së poetit gjerman Johann Wolfsgang von Goethe, “Jeta është shumë e shkurtër për të pirë verë të keqe”, unë sugjeroj që, më mirë është të pini pak dhe të shijoni verën e cilësisë së lartë. /Telegrafi/