Site icon Telegrafi

Veprime antikushtetuese të KPM-së në veri?

KPM-ja duhet urgjentisht që të marrë masa ndaj transmetuesve audio-vizual të veriut të Kosovës, sipas proceduarave ligjore të tërheqjes së licencave dhe ndalimit të transmetimit për këto media që nxisin qytetarë kundër rendit kushtetues dhe ligjor të vendit.

Në veri të Republikës së Kosovës veprojnë dy televizione lokale dhe disa radio po ashtu me frekuenca lokale, të cilat siç duket nuk monitorohen nga autoriteti rregullues i medieve të Kosovës (Komisioni i Pavarur për Media), dhe si rrjedhojë informimi për qytetarët e kësaj pjese të vendit është i mbushur me fjalor dhe gjuhë të nxitjes dhe urrejtjes ndaj shtetit, rendit dhe ligjit.

Duke pasur parasysh efektin e medieve në edukimin dhe krijimin e opinionit publik, ky sektor del të jetë njëri nga problemet kryesore në veri të vendit. Këto ditë, në TV Most që gjendet në Zveçan dhe TV Mir që gjendet në Leposaviq, transmetuan spote të ndryshme për t’i nxitur qytetarët e kësaj pjesë të Kosovës të marrin pjesë në referendumin e organizuar nga strukturat ilegale-paralele të Serbisë në veri të vendit. Madje këtë spote, kishin edhe një mesazh të qartë, anti-kushtetues dhe anti-ligjor. Mesazhi i këtyre spoteve që u transmetuan në mediet e licencuara nga Komisioni i Pavarur për Media ishte që t’i thuhet “jo” institucioneve të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, në edicionet kryesore të lajmeve të këtyre transmetuesve, tek qytetarët e veriut përcjellshin mesazhet e politikanëve ilegal të strukturave paralele, të cilët po ashtu bënin thirrje për daljen e qytetarëve në referendumin që synon të u thotë “jo” institucioneve të Kosovës. Ndërsa, ky komision që e quan veten të pavarur dhe pretendon që korrigjon gjuhën e urrejtjes dhe nxitjes, siç duket ka mbyllur sy e vesh para propagandës nxitëse dhe anti-shtetërore, edhe pse një gjë të tillë e ka për obligim kushtetues e ligjor.

Është bërë bujë kur kushtetuta është shkelur nga politikanë e institucione politike, por edhe ky komision që është edhe vetë kategori kushtetuese, ka bërë shkeljen e saj me tolerimin që ua ka bërë këtyre medieve që të përhapin gjuhë të nxitjes dhe urrejtjes ndaj rendit kushtetues dhe ligjeve të vendit. Ky tolerim është bërë tash e dymbëdhjetë vite, duke filluar me komisionerë ndërkombëtarë që kanë udhëhequr me këtë institucion dhe më e pakuptueshmja është vazhduar edhe nga udhëheqësit vendorë që këtë institucion e udhëheqin tash e disa vite.

Neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, saktëson që liria e medieve është e garantuar dhe po ashtu censura është e ndaluar, ndërsa saktëson se institucionet përkatëse (në këtë rast KPM-ja) janë të obliguara që veprojnë kur përmes medieve bëhet nxitje dhe provokim i dhunës në baza racore, kombëtare, etnike ose fetare. Ndërsa, KPM-ja si organ rregullues këtë nen të Kushtetutës e shkel për çdo ditë duke lejuar transmetimin e spoteve që nxisin qytetarët t’u thonë JO institucioneve të Kosovës. Ky tolerim po i kthehet si bumerang edhe vetë KPM-së, sepse thirrjet vijnë edhe kundër këtij institucioni.

KPM-ja madje është duke shkelur edhe rregulloret e veta të nxjerra për të rregulluar funksionimin e transmetuesve. Kodi i Sjelljes së për Shërbimet Mediale Audiovizuale që është nxjerrë nga ky institucion me 15 dhjetor të vitit 2010 në “preambulën” e tij thotë: “Kodi i sjelljes ka për qëllim përcaktimin e rregullave të sjelljes dhe të punës së shërbimeve mediale audio-vizuale në pajtim me dispozitat ligjore që janë të domosdoshme në një shoqëri demokratike ç për interesa të sigurisë kombëtare, të integritetit territorial dhe sigurisë publike, për parandalimin e trazirave dhe të krimit, për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, për mbrojtjen e shëndetit dhe të moralit, për mbrojtjen e fëmijëve, për mbrojtjen e prestigjit dhe të drejtave të tjerëve, për parandalimin e zbulimit të informatave të dhëna në besim, ose për ruajtjen e autoritetit dhe të pa anësisë së drejtësisë”, ndërsa ky institucion nuk respekton as qëllimin e këtij kodi të sjelljes.

KPM-ja duhet urgjentisht që të marrë masa ndaj transmetuesve audio-vizual të veriut të Kosovës, sipas proceduarave ligjore të tërheqjes së licencave dhe ndalimit të transmetimit për këto media që nxisin qytetarë kundër rendit kushtetues dhe ligjor të vendit. Për më shumë ky institucion duhet të shikojë edhe mënyrën e financimit të këtyre medieve anti-ligjore dhe po ashtu të shikojë nëse pronarët e tyre kanë dokumente identifikuese të Kosovës apo ende mund t’i licencojnë mediet e tyre me letërnjoftime të një shteti tjetër.

Exit mobile version