Kompozitori i mirënjohur nga Kosova, Bashkim Shehu, veprat e të cilit po luhen nëpër sallonet më të njohura të muzikës klasike nëpër Evropë, këtë të shtunë do të jetë në “Smetana Hall”, në qytetin e Pragës, ku do të ekzekutohet vepra e tij për piano, akordeon dhe orkestër.
Ndryshe, Shehu është një kompozitor e pedagog i njohur në krahinën kroate të Istria-s. Ai është ligjërues i Akademisë së Muzikës, në qytetin Pula.
Ai është edhe themelues i njërit ndër festivalet më të mëdha të muzikës klasike të këtij rajoni (Festivali i Istrias), në të cilin kanë performuar edhe emra të njohur të muzikës si Luciano Pavaroti, Plasido Domingo, Hoze Karreras etj.
Ka inicuar aktivizimin e manifestimit kulturor Vera e Pulas (Puljsko ljeto) dhe ka qene aktiv edhe ne ngjalljen e jetës kulturore të komunitetit shqiptar të Kroacisë.
Kompozimet e Shehut janë publikuar ose ekzekutuar në Zagreb, Dubrovnik, Tiranë , Moske, Paris, Hanover, Prag, Nju Jork, Amsterdam, Shtutgart etj.