Pas një incidenti ku një anëtar i stafit e hodhi aksidentalisht në koshin e plehrave, duke menduar se ishte mbeturinë, një muze holandez ka rregulluar veprën e artit që ngjante me dy kanaçe bosh birre, raporton AFP, transmeton Telegrafi.
Vepra, e titulluar Gjithë kohërat e mira që kaluam së bashku, nga artisti francez Alexandre Lavet, në shikim të parë dukej si dy kanaçe birre të hedhura dhe të dëmtuara. Megjithatë, sipas muzeut, një vështrim më i afërt tregoi se ato ishin në fakt të pikturuara me dorë me ngjyra akrilike dhe se “duhej shumë kohë dhe përpjekje për t’i krijuar”.
Por, vlera e tyre artistike u nënvleftësua nga një pastrues, i cili i pa ato të ekspozuara në ashensor dhe i hodhi në kosh.
Froukje Budding, zëdhënëse e muzeut LAM në Lise, në Holandën Perëndimore, tha se veprat e artit shpesh lihen në vende të pazakonta, prandaj ndodh që të shfaqen edhe në ashensor.
“Ne përpiqemi të befasojmë vizitorët gjatë gjithë kohës”, tha ajo.
Kuratorja Elisah van den Bergh, kur u kthye nga një pushim i shkurtër, vuri re se kanaçet ishin zhdukur. Ajo arriti t’i gjente ato në një qese në kohën e duhur, përpara se të hidheshin jashtë.
“Tani e kemi vendosur veprën në një vend më tradicional, mbi një bazament, në mënyrë që të pushojë pas aventurës së saj”, tha Budding, duke theksuar se nuk kishte “inat” ndaj pastruesit, i cili sapo kishte filluar punën në muze. “Ai thjesht po bënte punën e tij”, shtoi ajo.
Sietske van Zanten, drejtoreshë e muzeut, tha: “Arti ynë inkurajon vizitorët të shohin objektet e përditshme në një dritë të re”. “Duke ekspozuar vepra arti në vende të papritura, ne e forcojmë këtë përvojë, duke i nxitur të jenë më të vëmendshëm”, shtoi Van Zanten.
“Duke pasur këtë parasysh, kanaçet nuk kanë gjasa të qëndrojnë për një kohë të gjatë në bazamentin e tyre tradicional”, tha Budding. “Duhet të mendojmë më shumë për një vend të përshtatshëm ku t’i vendosim ato në të ardhmen”, shtoi ajo.
Incidenti është i fundit në një varg incidentesh fatkeqe që u kanë ndodhur veprave të artit në galeri dhe muze. Në vitin 2023, një burrë që tha se ishte i uritur hëngri një banane që ishte ngjitur në mur si pjesë e një instalacioni nga artisti italian Maurizio Cattelan, në një galeri në Seul.
Në vitin 2011, një pastruese tepër e zellshme në Gjermani shkatërroi një vepër të artit modern në vlerë prej 690 mijë funteve (822 mijë euro), pasi e ngatërroi me papastërti që kishte nevojë për një pastrim të mirë. Skulptura e artistit gjerman Martin Kippenberger, i konsideruar gjerësisht si një nga artistët më të talentuar të brezit të tij deri në vdekjen e tij në vitin 1997, ishte huazuar në muzeun “Ostwall” në Dortmund, kur ra viktimë e fshesës së pastrueses. /Telegrafi/