Një pikturë e mjeshtrit italian të Renesancës, Sandro Botticelli, mund të shitet për më shumë se 80 milionë dollarë kur të dalë në ankand në Nju-Jork në janar të vitit të ardhshëm – thotë shtëpia e ankandeve Sotheby’s.
“Djaloshi që mban një rondele” është cilësuar nga shtëpia e ankandeve si një nga pikturat më të mëdha të erës e mbetur në duar private. Ajo pritet të thyejë rekordin prej 10.4 milionë dollarësh të regjistruar në një ankand shtatë vite më parë nga një tjetër vepër e artistit të lindur në Firence.
Subjekti i portretit enigmatik është i panjohur, por historianët e artit besojnë se mund të jetë përshkrimi i një miku të ngushtë të familjes Medici, që sundonte qytetin italian. Piktura i takon fundit të shekullit XV, kur Papa Sikstus i IV-të e ftoi atë të dekoronte Kapelën Sistine në Romë. Gjatë asaj periudhe, Botticeli krijoi disa prej veprave më të famshme të tij, përfshirë “Lindjen e Afërditës”.
Pavarësisht moshës së saj, piktura është mbajtur në gjendje shumë të mirë dhe është ekspozuar në disa muze. Hera e fundit që ajo ka ndryshuar pronar, ka qenë viti 1982 kur një koleksionist privat e bleu për rreth 1.3 milion dollarë. /TCh/