Telegrafi

Venezuela arreston disa persona për komplot të dyshuar për të vrarë presidentin Maduro

Autoritetet venezueliane kanë arrestuar 32 civilë dhe ushtarë pas një hetimi një mujor për pjesëmarrjen e tyre të dyshuar në një “komplot” për të vrarë presidentin Nicolas Maduro, tha zyra e prokurorit të hënën.

Të gjithë të dyshuarit kanë “rrëfyer dhe zbuluar informacione rreth planeve”, u tha gazetarëve në Karakas, Prokurori i Përgjithshëm, Tarek William Saab, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ai tha se ata ishin akuzuar për tradhti dhe “të dënuar” për krimet e tyre.

Besniku i Maduros, Saab tha se urdhrat e arrestit janë lëshuar për 11 persona të tjerë, duke përfshirë aktivistë të të drejtave, gazetarë dhe ushtarë në mërgim, për komplotin e supozuar që synonte gjithashtu ministrin e Mbrojtjes, Vladimir Padrino.

Padrino tha në të njëjtën konferencë për shtyp se një operacion që filloi vitin e kaluar për të zbuluar detajet e komplotit të supozuar u mbajt sekret pasi përkoi me “bisedimet” midis Maduros dhe Shteteve të Bashkuara që rezultuan në një shkëmbim të të burgosurve.

Ai fajësoi për komplotin “të djathtën ekstreme”, siç zakonisht qeveria e Maduro i referohet opozitës, me “mbështetje” të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA (CIA) dhe Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA).

Maduro u zgjodh në vitin 2018 për një mandat të dytë, të njëpasnjëshëm, i pa njohur nga dhjetëra vende dhe u përball me një breshëri sanksionesh. /Telegrafi/