Telegrafi

Venecia me masa të reja për lehtësimin e turizmit masiv

Në një përpjekje për të lehtësuar ndikimin e turizmit masiv në qytetin italian, Venecia do të gjobisë përdoruesit e altoparlantëve dhe grupet turistike me më shumë se 25 persona.

Rregullat e reja të një prej qyteteve më të vizituara evropiane, pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2024.

Sipas zyrtares përgjegjëse për sigurinë e qytetit, Elisabetta Pesce, këto ndryshime politike kanë për qëllim përmirësimin e menaxhimit të grupeve të organizuara.

Gjithashtu, zhurma e madhe mund të shkaktojë konfuzion dhe shqetësime te qytetarët, andaj qyteti ka marrë masa të menjëhershme, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, në shtator të vitit 2023, Venecia ka miratuar tarifën ditore prej 5 euro për vizitorët ditorë.

Me vetëm 7,6 kilometra katrorë madhësi, ajo pret miliona turistë çdo vit, ku vetëm në vitin 2019 numëroi pothuajse 13 milionë të tillë.

Por, duket se klima dhe turizmi masiv po i ndikojnë negativisht, duke shkaktuar ndryshime të pakthyeshme në të.

Së shpejti, ajo pritet t’i bashkohet listës së UNESCO-s si vend me trashëgimi botërore në rrezik. /Telegrafi/